Duke e konsideruar Gjykatën Kushtetuese si institucionin më të rëndësishëm në vend, Presidenti Ilir Meta thotë se pavarësisht plotësimit të saj me anëtarët e nevojshëm, ka ende punë që kjo gjykatë të jetë plotësisht funksionale. Nga anëtarët e zgjedhur, por edhe ata që do të vijnë, Meta shpreson që të kenë përgjegjësinë maksimale për të kuptuar rëndësinë e këtij institucioni.

“Gjykata Kushtetuese ka qenë dhe duhet të jetë institucioni më i rëndësishëm në vend, siç është në çdo vend ku sundon shteti i së drejtës, çdo vend demokratik. Presidenti ka bërë çdo përpjekje që Shqipëria të mos mbetej asnjë sekondë pa Gjykatë Kushtetuese funksionale, por ka ende punë për të patur një gjykatë plotësisht funksionale dhe për presidentin funksionimi i GJK është një çështje thelbësore dhe unë uroj dhe shpresoj se të gjithë anëtarët e kësaj gjykatë, të gjithë ata që janë bërë pjesë e saj dhe ata që do të bëhen pjesë në të ardhmen të kenë përgjegjshmëri maksimale për të kuptuar rëndësinë e jashtëzakonshme, të këtij institucioni për shtetin e së drejtës, të drejtat e qytetarëve, demokracinë. Unë do të mbështes gjithmonë pavarësinë e këtij institucioni, dhe pavarësinë e të gjithë institucioneve të tjera”.

I pyetur se kush ishte pengesa për krijimin e kësaj gjykate dhe se kush u tërhoq që çështja u zgjidh brenda pak ditëve, Meta tha:

Nuk ekziston asnjë tërheqje nga ana e presidentit sa i takon kushtetutshmërisë së procesit. Ky proces ka patur dhe ka mangësitë e tij nga pikëpamja e ligjit dhe nga shumë aspekte të tjera. Çdo spekulim për të krahasuar situatën aktuale më atë kur ndodhi kriza, apo përplasja midis presidenti në të kaluar, me parlamentin dhe ish-kreun e KED, është e pavend sepse në atë rast kishim një përpjekje për të rrëmbyer në mënyrë kriminale dhe mafioze, një anëtar të GJK që i takonte Presidenti të Republikës për ta marrë mazhoranca për llogari të saj dhe për të uzurpuar dhe kapur në mënyrë brutale GJK. Për këtë mendoj se Komisioni i Venecias ka folur te për qartë se kush e shkaktoi këtë incident, që u bë i qëllimshëm. Sigurisht që presidenti ka vepruar gjithmonë në mënyrën më të shpejtë të mundshme, gjithmonë kur KED i ka propozuar për vakancat e i takojnë Presidentit”./tvklan.al