Meta: Gati të ndryshoj datën e zgjedhjeve lokale

Meta: Gati të ndryshoj datën e zgjedhjeve lokale

15:55 24/05/2019

Kur na ndan pak më shumë se një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, e kur palët, pavarësisht tentativave të ndërkombëtarëve për t’i ulur në dialog, nuk tërhiqen nga llogoret e tyre, Presidenti Ilir Meta shprehet i gatshëm të rishikojë shtyrjen e datës 30 Qershor në funksion të zgjidhjes së krizës politike.

“Shpreh gadishmërinë time institucionale, që në përputhje me kompetencën që më jep shkronja “gj” e nenit 92 të Kushtetutës, të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike. Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve”.

Kreu i shtetit fton Kryeministrin Rama dhe kreun e opozitës Basha të dëgjojnë mesazhin e dy deputetëve të parlamenti gjerman dhe të ulen në një tryezë dialogu. Në funksion të zgjidhjes së krizës thotë se është i gatshëm të sakrifikojë edhe karrigen e Presidentit.

“Ashtu siç deklarova me përgjegjësi më 20 mars nga Pogradeci, mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të mire, stabilitetit dhe demokracisë së vendit, të vendos në dispozicion edhe mandatin tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte qyetetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e tyre të lirë”.

Për Presidentin Meta, vota e lirë qëndron në themel të bashkëjetesës demokratike dhe pa garantimin e tyre vendit nuk mund t’i ndizet drita jeshile për në familjen europiane.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT