Shqipëria nuk e meriton të mbetet e fundit në rajon

Presidenti nuk rresht asnjë ditë së apeluari, që palët politike në vend të heqin dorë nga kokëfortësia dhe ecja nga 2 rrugë përjashtuese dhe të gjejnë zgjidhje, sepse koha nuk pret dhe po rrezikohet integrimi. Në rrjetet sociale, ai me shembullin e fëmijës që nuk mëson për provimin, sepse mendon se ka kohë dhe dështon, u kujton politikanëve që në të njëjtën mënyrë po humbasin mundësinë që vendi ka për të marrë hapjen e negociatave në 18 Tetor.

Populli ynë nuk e meriton të mbetet i fundit në rajon, për shkak të liderëve të tij të llastuar! Kemi dhe fare pak kohë për të mos kaluar në KundërKohë! Duhet hequr dorë urgjentisht nga kokëfortësia për të ecur në dy rrugë përjashtuese, jodemokratike dhe joeuropiane, që s’kanë pikë takimi, jo vetëm me njëra-tjetrën, por që të dyja e nxjerrin vendin për një kohë të pacaktuar nga rruga europiane e sigurt dhe e dëshiruar nga të gjithë shqiptarët. Duhet Lidership dhe Lidershipi jep zgjidhje në interes të të gjithë vendit! Shqipëria ka nevojë për zgjidhje! Tani! Në shtator do jetë shumë vonë! Aq më tepër pas 18 tetorit të sakrifikuar për mungesë përgjegjësie ndaj vendit”.

Si provë që vetë po punon për të plotësuar reformat e kërkuara, Presidenti thotë se do të dekretojë çdo ligj që është në përputhje me parimet kushtetuese e interesin publik dhe do të refuzojë ta bëjë këtë, kur këto parime shkelen.

Që prej marrjes së mandatit në 2017, nga 193 ligje që i janë dërguar nga parlamenti, ka dekretuar 156, ka kthyer për rishqyrtim 14, ka lënë në heshtje 16 dhe aktualisht ka në shqyrtim 7 ligje të tjera.

Pavarësisht thirrjes për bashkëpunim, një ditë më parë Presidenti u përfshi në replika në distancë me Kryeministrin Rama, replika të cilat tregojnë se dy institucionet janë shume larg bashkëpunimit, në një kohë kur Kuvendi është në punë e sipër, për të vendosur për shkarkimin e kreut të shtetit për shkelje të Kushtetutës.

Tv Klan