Me tone të ashpra e mbylli Presidenti i Republikës, Ilir Meta, konferencën së sotme për shtyp.

Teksa u pyet për deklaratën e disa ditëve më parë të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, i cili tha se Meta do të bëjë rolin e kryetarit të opozitës nëse ai bën rolin e Presidentit, kreu i shtetit tha se mbrojtja e Kushtetutës nuk është territor i askujt.

Meta i kërkoi Ramës që të bëjë aq sa bëri ish-Presidenti i Bosnje-Hercegovinës Alija Izetbegović kur e morën peng. Ai u shpreh se kreu i qeverisë duhet të thotë se është marrë peng.

Presidenti foli për “duar të zeza që duan të bëjnë vendin gaz të botës” dhe shtoi se armiqtë do ta marrin përgjigjen atje ku nuk u shkon mendja.

“Mbrojtja e Kushtetutës nuk është territor i askujt, por detyrë e parë e Presidentit të Republikës. Presidenti nuk është vetëm komandant i FA-së, por është ushtar i parë i Republikës, duhet ta dijë kushdo. Ka ardhur koha për të verifikuar ndershmërinë dhe patriotizmin e çdo politikani dhe çdo qytetari. Ta dinë të gjithë, edhe armiqtë e Shqipërisë  se do ta marrin përgjigjen atje ku nuk u shkon mendja. Boll i futën duart e tyre të zeza këtu, për të na bërë një vend gazi i botës.

Ndërsa atij zotërisë (Ramës) i them përpiqu të bësh aq sa bëri Izetbegović kur e morën peng. Thuaji popullit tënd që “jam peng” dhe vazhdo punën tënde. Sepse këtë popull e këtë komb nuk e merr askush peng në këtë qiell e mbi këtë tokë”, tha Meta.

Ishte zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi që sqaroi përmes një postimi në rrjetet sociale, deklaratën e kreut të shtetit.

Blushi ka sqaruar se referenca për pengun i drejtohet Ramës. Ai shkruan se kreu i qeverisë duhet të heqë dorë nga pengmarrja europiane e Shqipërisë.

“Një sqarim për të gjithë kolegët e nderuar gazetarë: Referenca për “pengun” i adresohet direkt Kryeministrit ende në detyrë që duhet të heqë urgjentisht dorë nga pengmarrja e së ardhmes europiane të Shqipërisë!  Kjo është e qartë”, shkruan Blushi./tvklan.al

/tvklan.al