Me bindje të plotë dhe të palëkundur dhe me përgjegjësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, mora vendimin e duhur për të shmangur një konflikt civil në vend dhe për të shpëtuar demokracinë dhe të ardhmen europiane të vendit“.

Kështu u shpreh Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një konferencë për shtyp këtë të martë, pas vendimit për çdekretimin e datës së zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit.

Ai tha se “vendimmarrja e Presidentit për shfuqizimin e dekretit për zhvillimin e zgjedhjeve më datë 30 Qershor, u bë e domosdoshme në kushtet e përshkallëzimit të ndërsjelltë, dhe të vullnetshëm të qëndrimeve dhe aksioneve histerike, të të dy palëve politike, për rritjen e tensionit në vend dhe rrezikut për t’u kulmuar përplasjet mes tyre më 30 Qershor. Të dy palët e kishin shpallur datën e caktuar nga presidenti, si datë të zgjedhjeve të përgjithshme vendore, si ditën kur do të përballeshin në një betejë force, jeta a vdekje midis tyre”.

“Të dy palët e kishin shpallur datën e caktuar nga presidenti, si datë të zgjedhjeve të përgjithshme vendore, si ditën kur do të përballeshin në një betejë force, jeta a vdekje midis tyre”

Presidenti siguroi se zgjedhjet për pushtetin vendor do të bëhen në një datë të mëvonshme dhe në respekt me frymën e Kushtetutës. Ai u bëri sërish thirrje palëve për gjetjen e një zgjidhje për daljen nga kriza.

“Republika nuk mund të jetë gjithashtu as kapje totale e institucioneve nga ana e mazhorancës dhe as deligjitimim i tyre nga ana e opozitës. Presidenti i siguron qytetarët se zgjedhjet për pushtetin vendor do të zhvillohen në një datë të mëvonshme dhe gjithmonë brenda një afati të arsyeshëm në respekt të frymës së Kushtetutës. Ato duhet të jenë të lira dhe demokratike. Presidenti i bën thirrje palëve që të lexojnë me kujdes Kushtetutën, të kthjellohen dhe të shfrytëzojnë këtë hapësirë kohore, për gjetjen e një zgjidhje urgjente për krizën përfshirë dakordësimin e një date tjetër për pjesëmarrje të gjithë qytetarëve në zgjedhje”./tvklan.al