Presidenti Ilir Meta i është kundërpërgjigjur kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan pak ditë përpara zgjedhjeve të 25 Prillit.

Në një konferencë nga Presidenca, Meta tha se të gjithë e dinë kush është shkaktar i nxitjes së dhunës në të gjithë vendin.

“Të gjithë e dinë se kush e nxiti dhunën kudo në Shqipëri, në Kavajë, drejtorët e kujt ishin ata që vajtën në zyrë dhe shkaktuan gjakderdhje, të gjithë e dinë kush e nxiti dhunën në Elbasan, se kush i zvarriste dosjet me javë të tëra dhe kush planifikonte që atë dhunë ta shkarkonte në gjithë territorin e Shqipërisë sepse është keq kur mësohesh me 120 kartona në Parlament”, u shpreh Meta.

Kujtojmë se 2 ditë më parë, Taulant Balla deklaroi se Ilir Meta dhe PD ishin nxitës të ngjarjes së rëndë në Elbasan.

Atë ditë Ilir Meta vetëm 3-4 orë përpara ngjarjes deklarojnte dhe bënte thirrje të mprehim thikat, kosoret, lopatat. Dhe pak orë më pas një organizatë kriminale e ngritur, e mbështetur, e pranuar publikisht nga PD, ekzekutoi në qendër të qytetit të Elbasanit një qytetar autokton të Elbasanit, familja e nderuar Xhuvani, dhe që për fat të keq ende PD nuk është distancuar nga ky akt kriminal që mban tërësisht përgjegjësinë e tyre dhe të Ilir Metës në bashkëpunim si nxitës të dhunës dhe njerëit e reduktuar mercenarë të PD si vrasës me pagesë”, tha ndër të tjera Taulant Balla nga foltorja e Parlamentit më 9 Qershor. /tvklan.al