Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Agjenda e kryeministrit Ilir Meta edhe në këto ditë të fundit të vitit ka qenë e mbushur me takime. Së bashku me ministrat Dade, Blushi dhe Ruka, zoti Meta ka vizituar bashkinë e Divjakës. Gjatë paradites kryeministri mori pjesë në përurimin e shkollës 8-vjeçare në fshatin Izë, e cila është cilësuar si një nga shkollat më të mira që janë ndërtuar gjatë këtyre viteve.

Me një grand prej 13 milion lekë të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, nxënësve të kësaj shkolle u është krijuar mundësia, jo vetëm të mësojnë në kushte shumë të mira, por të kenë në klasat e tyre edhe dy kompjuterë të rinj. Kryeministri Meta ka marrë pjesë edhe në përurimin e ristrukturimit të filialit të Albtelecom në Divjakë.

Pas takimeve në Divjakë, zoti Meta është nisur drejt qytetit të Lushnjes, ku ka qëndruar së pari në bashkinë e këtij qyteti dhe më pas ka marrë pjesë në një takim me simpatizantë të PS së Lushnjes, ku zoti Meta është pritur me entuziazëm. Gjatë përshëndetjes kryeministri Meta pasi ka theksuar sfidën më të madhe të Shqipërisë, asocimin në Bashkimin Europian, nuk ka lenë pa përmendur edhe situatën politike në vend. Që nga Lushnja zoti Meta i ka dhënë përgjigje akuzave të kryetarit të PD Sali Berisha dhe e ka ftuar atë për bashkëpunim.

Kryeministri Ilir Meta:- “Në këtë moment të rëndësishëm në të cilin është vendi, një moment historik, i cili i përket të sotmes dhe të ardhmes, ne nuk duam të përjashtojmë nga kjo sfidë e rëndësishme në shërbim të gjithë shqiptarëve askënd, aq më tepër opozitën. Përkundrazi, ne e ftojmë opozitën të respektojë votën e 24 Qershorit dhe të bëjë detyrën e saj përpara elektoratit që e ka votuar dhe përpara vendit, për hir të integrimit evropian të bashkëpunojmë gjithnjë e më shumë”./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço