Në Selenicë kam vajtur në mes të ditës, i gatshëm të shkoj edhe me zotërinjtë

Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur akuzave të Kryeministrit Edi Rama, i cili një ditë më parë tha se ka shkuar në Vlorë “natën me makina pa protokollin përkatës”. Në një komunikim me gazetarët Meta tha se ka shkuar në Selenicë në mes të ditës dhe u shpreh i gatshëm të shkojë në çdo moment edhe me të.

“Tani kalojmë tek çështja e vizitave të mia në Vlorë. Unë Vorën e kam në zemër dhe do ta kem në zemër. Zotërinjtë e duan Vlorën për ta futur në xhepin e tyre. U duket aq e vogël atij zotërisë sa ka çuar afrimin e unazës atje për të zaptuar Vlorën. Nuk kam shkuar në Selenicë, por ka ardhur Selenica këtu. Kanë ardhur ata këtu që kanë bërë peticion pse janë mashtruar në lidhje me projektin. Ata u mashtruan. Presidenti nuk ka ikur fshehur e dinë të gjithë, ka ikur në mes të ditës në Selenicë. Është gati të shkojë në çdo moment edhe me zotërinjtë që të takojmë qytetarët jo drejtorat e hipotekave që ndërrohen çdo javë. Presidenti që keni këtu nuk ka frikë nga populli, do dalë në mes të Vlorës, në Elbasan, në mes të Librazhdit. Po të më ftojë Taulanti shkoj dhe atje. Unë jam i gatshëm të bashkëpunoj, por ata duhet të merren me situatën e pandemisë”, tha Meta.

Një përgjigje e kishte edhe për Damian Gjiknurin, që më herët gjatë paradites e ftoi Presidentin që të shkonte në nisje të projektit në Selenicë dhe të mos shkonte fshehurazi në Vlorë.

“Damiani nëse ka dëshirë mund të marrë me vete edhe Gurunë e të dalim së bashku në mes të Vlorës”, tha Meta.

Një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama e akuzoi Presidentin Ilir Meta se ka shpërdoruar postin në krye të shtetit për të shërbyer në favor të LSI-së. Rama tha se Meta ka shkuar në këtë qytet “natën me makina pa protokollin përkatës”. Sipas kreut të qeverisë, Meta e ka kuptuar që zgjedhjet kanë për të qenë një katastrofë për LSI-në./tvklan.al