“Mprihni sfurqet”, le të merren gjuhëtarët me metaforat, jo gjyqtarët

Teksa Gjykata Kushtetuese është tërhequr për vendim lidhur me shkarkimin ose jo të Presidentit Ilir Meta, kreu i shtetit publikoi përgjigjet e 72 pyetjeve të bëra nga togat e zeza. Në materialin 53 faqësh, Ilir Meta pohon për herë të parë se është ankuar zyrtarisht për diplomat te huaj në Shqipëri që sipas tij kanë mbajtur qëndrime të njëanshme në favor të qeverisë.

“Presidenti, shqetësimet e tij për sjellje jo korrekte të diplomatëve të caktuar, ua ka shprehur zyrtarisht atyre, duke vënë në dijeni po zyrtarisht edhe vendet apo organizatat që ata përfaqësojnë. Presidenti i Republikës nuk ka ndërhyrë kurrë në kompetencat e asnjë përfaqësie diplomatike dhe të asnjë vendi partner, por për fat të keq, ka patur diplomatë të caktuar që publikisht kanë vënë në diskutim dekretet e Presidentit, duke marrë hapur anën e mazhorancës në kapjen e sistemit të drejtësisë, e sidomos të Gjykatës Kushtetuese”.

Përgjigje u ka dhënë edhe shprehjeve të përdorura prej tij në fushatën elektorale të 25 prillit si “mprihni sfurqet” apo “një votë po u prek do pritet një dorë”.  Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i fton që analizën e këtyre figurave  letrare t’ua lënë filologëve.

“Metaforat, epitetet, alegoritë, dhe figurat e tjera letrare, do të ishin objekt interesant debati për gjuhëtarët dhe filologët, por jo për Gjykatën Kushtetuese. Presidenti i Republikës në këtë deklaratë, i ka përmendur “sfurqet” si mjete pune të banorëve të zonës. Është e pakuptueshme se përse duhet të shqetësohej mazhoranca për përmendjen e “sfurqeve”, nëse vërtet nuk synonte të prekte votën e qytetarëve ditën e zgjedhjeve”.

Në materialin e gjatë, kreu i shtetit sqaron se ka qenë një President mbi palët, kritik i fortë i qeverisë, por edhe i opozitës. Ilir Meta e cilëson denigruese fushatën ndaj Presidentit të Republikës, për të cilën thotë se është e frymëzuar nga Kryeministri Edi Rama.

Tv Klan