Meta: Jam ushtari i parë në mbrojtje të Kushtetutës



Meta: Jam ushtari i parë në mbrojtje të Kushtetutës

16:14 19/10/2020

“Nuk po drejtoj opozitën, por integrimin” 

Akuzat se shpesh se po sillet më shumë si kreu i opozitës sesa si kreu i shtetit, duket se janë bërë të bezdisshme për Ilir Metën. I pyetur specifikisht për një deklaratë të bërë nga kryedemokrati Basha në fundjavë pikërisht për rolin e Metës në politikën e ditës, Meta ngriti tonet, por pa përmendur emra kujt i adresohej.

“Mbrojtja e Kushtetutës nuk është territor i askujt, është detyrë e parë e Presidentit të Republikës. Në këtë drejtim presidenti nuk është vetëm qytetari i parë i Republikës, por dhe kreu i Forcave të Armatosura, është ushtari i parë i Republikës. Këtë duhet ta dijë kushdo. Ka ardhur koha për të verifikuar ndershmërinë e çdo politikani, por mund të vijë dhe për çdo qytetar. Ta dinë të gjithë dhe Armiqtë e Shqipërisë do i marrin përgjigjen shumë shpejt, atje ku nuk i shkon mendja. Boll i futën duart e zeza këtu, për të na bërë një vend gaz i botës. Atij zotërisë i them; përpiqu të bësh aq sa bëri Alija Izetbegović kur e morën peng. Thuaji popullit tënd që; “jam peng” e vazhdo punën tende. Këtë popull nuk e merr më askush peng, në këtë qiell e në këtë tokë”.

Por menjëherë zyra e tij e shtypit bëri një sqarim se deklarata e presidentit ishte për kryeministrin dhe jo kreun e opozitës. Tonet i ngriti dhe kur u pyet për shumicën të cilës i ka kujtuar se nuk do ta shantazhojnë dot sa kohë ai drejton zyrën e kreut të shtetit, ndërsa lajmëron se brenda afateve kushtetuese do të kthejë të mirëargumentuar ndryshimet në Kodin Elektoral.

Arsyeja që e nxori në një konferencë për shtyp ishte akti normativ që i detyron qytetarët të mbajnë maska në çdo ambient, në të kundërt do të gjobiten. Sipas Metës, është e papranueshme që gjobat të vendosen në faturën e OSHEE, por të papranueshme quan dhe thirrjen kundër vendosjes së maskave, siç ka bërë në mënyrë të përsëritur bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI.

Për dhënien e plotëfuqishmërisë për kryeministrin në rast të rinisjes së negociatave me Greqinë, presidenti evitoi të flasë.

Tv Klan




Të ngjashme