Presidenti Ilir Meta thotë se është zgjedhur në këtë detyrë nga një Parlament legjitim dhe jo nga përbërja aktuale e Parlamentit.

I pyetur nga gazetarët si e komenton rezolutën e miratuar një ditë më parë nga Parlamenti me 100 vota kundër vendimit të tij për anulimin e datës së zgjedhjeve, kreu i shtetit tha: “Presidenti është zgjedhur nga një Parlament, natyrisht jo nga ky, nga një Parlament plotësisht legjitim. Presidenti i takon Republikës dhe Republika i takon vetëm qytetarëve. Shqipëria është Republikë, Presidenti i takon Republikës dhe Republika i takon vetëm qytetarëve”.

Lidhur me dekretin e tij për anulimin e datës 30 Qershor dhe refuzimin e mazhorancës dhe KQZ që e cilëson nul këtë vendim, Meta deklaroi se po mban shënime për këdo që “ecën në rrugën e paligjshmërisë”.

Sa më shumë që të jetë e mundur po punoj me shumë qetësi dhe shumë përgjegjësi. Dekreti është në fuqi, është i detyrueshëm për të gjithë. Presidenti mban shënim me shumë vëmendje çdo institucion që shkel ligjin. Dekreti mund të gjykohet edhe nga Gjykata e Skraparit që nuk ekziston. Presidenti nuk ndalon askënd të çmendet. Presidenti fton të gjithë që të izolojmë çdo të çmendur, i cili në këtë ditë të dhurimit të gjakut bën thirrje për gjëra të ndryshme. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vetëm ato sigurojnë çeljen e shpejtë të negociatave. Dekreti është në fuqi, është i zbatueshëm, është i detyrueshëm për të gjithë. Presidenti ka të drejtë që të bëjë thirrje për reflektim. Ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë duhet të jenë të sigurt që do të kenë të gjitha pasojat që do të provokojnë paqen sociale dhe stabilitetin demokratik në vend”.

Këto deklarata, Presidenti Ilir Meta i bëri në aktivitetin e Kryqit të Kuq Shqiptar për dhurimin e gjakut. / tvklan.al