Meta: Keqardhje për mënyrën e sjelljes ndaj propozimit tim

Meta: Keqardhje për mënyrën e sjelljes ndaj propozimit tim

16:08 22/05/2020

Presidenti Ilir Meta pasi bëri publike projekt-platformën e tij këtë të premte u takua me ambasadorin e Britanisë së Madhe, Duncan Norman. Gjatë takimit, Meta thotë se ka theksuar angazhimin e tij për këtë platformë me qëllim avancimin e axhendës së integrimit të Shqipërisë.

“Theksova angazhimin tim për Platformën (Non Paper) të 8 prillit të bërë publike sot me qëllim avancimin e axhendës së integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe kërkova një qasje gjithëpërfshirëse dhe vullnet konstruktiv të të gjitha palëve të përfshira”, thotë Meta.

Më tej ai shton se ka shprehur keqardhjen për mënyrën destruktive të sjelljes ndaj këtij propozimi, duke minuar mundësitë për dialog.

Presidenti Ilir Meta propozoi këtë të premte një platformë për integrimin të cilën tha se ia kishte dërguar edhe kryeministrit Rama dhe ambasadores Yuri Kim.

Por i menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit, i cili tha se nuk kishte marrë asnjë platformë nga Presidenti. Por Meta në një reagim të tij tha  se Rama gënjen dhe bëri të ditur se platforma për Integrimin Europian i është paraqitur me 8 Prill atij dhe ambasadores Kim.

Mirëpo më vonë, Rama tha se Meta e ka shkruar vetë platformën dhe se po t’i kishte marrë ato pika do i kishte kthyer përgjigje Metës se “pse më duken si pika vaji e uthulle që duhen ndarë, se ndryshe thyhet ena e Kushtetutës&Integrimit”.

Kujtojmë që një ditë më parë ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim tha se shpresonte që fjalët për një marrëveshje për të vrarë Reformën në Drejtësi të mos jenë të vërteta.

Ndërkohë sot ajo bëri thirrje që të mos bëhen lojëra me Reformën Zgjedhore dhe atë në drejtësi.

/tvklan.al

Të ngjashme

Grupi

Kallezo