Presidenti Ilir Meta ka shprehur mbështetjen për marshimin e shoqërisë civile në Tiranë pasditen e së enjtes, në shenjë proteste ndaj abuzimit seksual të 15-vjeçares në Babrru nga roja i shkollës.

Në një postim në Facebook, kreu i shtetit shkruan se shoqëria shqiptare duhet të reagojë kur nëpërkëmben vlerar e familjes.

Nga ana tjetër, Presidenti kërkon që drejtësia të nxjerrë përgjegjësit për rastin e abuzimit të 15-vjeçares, si dhe i bën thirrje institucioneve arsimore të reagojnë për parandalimin e ngjarjeve të tilla.

“Kur çdo formë dhune tolerohet, justifikohet dhe nuk ndëshkohet nga shteti, atëhere dhuna kthehet në sistem! Vlerësoj dhe e përshëndes reagimin e djeshëm qytetar në protestën marshim të organizuar dje në Tiranë, dhe do t’i mbështes e inkurajoj gjithmonë të gjitha nismat kundër çdo forme dhune dhe abuzivizmi.

Një shoqëri demokratike dhe sociale, nuk mund të ketë evolucion pa inkurajuar përpjekjet për fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave, veçanërisht pa përmbushur detyrimet për mbrojtjen e të drejtave të tyre. I bëj thirrje drejtësisë të mos vonojë në nxjerrjen e përgjegjësive për rastin e abuzimit të 15-vjeçares në Babrru, dhe nxis institucionet arsimore të jenë më të vëmendshme në parandalimin dhe denoncimin e këtyre rasteve tronditëse. Një shoqëri si e jona, që familjen dhe vlerat e saj i vlerëson të shenjta, duhet të ngrihet e gjitha në këmbë për mbrojtjen e tyre”, shkruan Presidenti Ilir Meta. /tvklan.al