Meta kërkon transparencë për vaksinat



Meta kërkon transparencë për vaksinat

20:09 18/01/2021

“Lufta ndaj pandemisë është çështje besimi”

Presidenti Ilir Meta iu bashkua zërave se marrëveshja e nënshkruar mes Qeverisë shqiptare dhe kompanisë Pfizer, për vaksinën anti-COVID, kërkon transparencë totale. Nga Vlora, kreu i shtetit tha se në këtë beteje globale besueshmëria është shumë e rëndësishme.

“Unë jam për transparencë totale se dhe kur pi një Coca-Cola duhet ta kesh kohën kur është prodhuar e kohën kur skadon. Kjo ndihmon për forcimin e besimit se dhe kjo luftë me pandeminë është çështje besimi. Gjithë institucionet duhet të bëjnë gjithçka për të rritur këtë besim përmes transparencës maksimale”

Kreu i Shtetit foli gjatë për anulimin e projektit të rrugës Peshkëpi–Selenicë, ku akuzoi qeverinë se ka gënjyer Kuvendin, presidentin dhe qytetarët. Meta sqaroi se buxheti i shtetit nuk parashikon asnjë qindarkë për shtrimin e kësaj rruge, pasi qeveria shqiptare u tërhoq nga financimi i saj përmes një hyaje nga Fondi Saudit.

 “Në buxhetin e shtetit nuk ka asnjë qindarkë për këtë projekt të anuluar dhe tërësisht të anashkaluar, dhe mendoj se revolta e qytetarëve të Selenicës është totalisht legjitime sepse ka qenë një projekt i gatshëm. Ka qenë projekt i gatshëm, financim i sigurt, por premtim i bërë disa herë. Shpreh mbështetjen time për realizimin e këtij projekti qoftë buxhetit qoftë financim të huaj.”

Pak kohë më parë, kreu i shtetit u përfshi në polemika me kryeministrin Rama mbi procedurat e një marrëveshjeje për fondin saudit dhe investimet në qarkun e Vlorës.

Tv Klan






Të ngjashme