Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Shqipëria ka ngritur zërin e saj në Samitin e OSBE në Stamboll, për përcaktimin e saktë të statusit të Kosovës në axhendat ndërkombëtare. Kryeministri Ilir Meta ka refuzuar në fillim të nënshkruante deklaratën themelore të OSBE ndërkohë që më pas deklarata e Qeverisë Shqiptare për Kosovën ju bashkangjit dokumenteve të Samitit.

Në Aeroportin e Rinasit, Kryeministri Meta është pritur nga kryesocialisti Fatos Nano, Makbule Çeço dhe anëtare të tjerë të Qeverisë së tij. Për gazetarët pak minuta para mbrritjes në aeroport Kryeministri Ilir Meta u shpreh për takimet me presidentin amerikan Bill Klinton dhe angazhimet e qeverisë së tij në marrëdhënie me opozitën.

Kryeministri Ilir Meta:- “Komunikimi i vazhdueshëm i imi si Kryeministër i Shqipërisë me Presidentin e SHBA gjatë dy ditëve të Samitit të OSBE tregon vëmendjen dhe interesimin e SHBA për zhvillimet demokratike në Shqipëri, përkrahjen e tyre për Qeverinë e re dhe prioritetet e saj dhe angazhimin e tyre të mëtejshëm për forcimin e stabilitetit në Shqipëri dhe në të gjithë Europën Juglindore. Këto takime, këto mesazhe përkrahje unë i kuptoj vetëm si përkrahje për Shqipërinë dhe për shqiptarët, për gjithçka që ata kanë bërë për triumfin e paqes në Kosovë dhe në Rajonin tonë dhe njëkohësisht si një përkrahje për prioritetet mjaft të qarta që Qeveria e re ka bërë tashmë publike dhe për të cilat ka filluar të angazhohet konkretisht”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame