“Shkel Kushtetutën, cënon të drejtën themelore të pronës”

Një tjetër ligj është rikthyer në Kuvend për rishqyrtim nga ana e kreut të shtetit. Bëhet fjalë për korporatën e investimeve, i miratuar nga maxhoranca në 17 Tetor në Kuvend.

Në argumentin e tij ligjor, Presidenti Ilir Meta shprehet se nisma e qeverisë bie ndesh me parimet dhe dispozitat kushtetuese; aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, cënon parimin e sigurisë juridike dhe të drejtën themelore të pronës, si dhe fryma e këtij ligji është në kundërshtim me sistemin ligjor aktual mbi të cilin zhvillohet shoqëria shqiptare.

“Pozita dominuese në treg e kësaj shoqërie tregtare bën që funksionimi i Korporatës së Investimeve Shqiptare të cënojë parimet kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike e nismës së lirë””.

Kreu i shtetit sqaron se ligji krijon terren për cënimin e të drejtave të pronësisë private të fituara, si dhe të pretendimeve që janë ende në proces shqyrtimi në rrugë administrative apo gjyqësore.

“Duke vlerësuar tipologjinë e problematikave që lidhen me çështjen e të drejtave të pronësisë do të sjellë pashmangshmërisht situata të mbivendosjeve të pretendimeve, apo mohim pa të drejtë të së drejtës për të gëzuar pronën, me një titull pronësie. Nëse shteti nëpërmjet Këshillit të Ministrave do të ndërhynte duke e vendosur të njëjtën pronë në dispozicion të Korporatës, atëherë do të lindte një konflikt i ri dhe jemi përballë një padrejtësie tjetër që shteti i bën pronarit. Pikërisht kjo ndërhyrje e parashikuar në ligj konsiderohet si cenim i të drejtave pronësore të krijuara dhe pritshmërive legjitime që pronarët kanë krijuar mbi të drejtat e tyre të pronësisë, ndër vite. Ky ligj mund të sjellë për disa subjekte ndërprerjen e procesit të legalizimit”.

Ligji sipas Presidentit cënon parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor, të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, si dhe nuk është në harmoni me Kartën Evropiane të Autonomisë Lokale.

“Ligji i jep të drejtën qeverisë t’i transferojë korporatës edhe prona që janë në disponim/pronësi të pushtetit lokal, pa marrjen e pëlqimin prej këtij të fundit, ndërkohë që sipas ligjit nr.139/2015, Këshilli i Ministrave nuk ka asnjë tagër”.

Nëse korporata kontrollohet në mazhorancë nga aksioner privat, Presidenti thotë se rrezikohet që zhvillimi i projektit apo marrëveshja mbi të drejtat dhe detyrimet të favorizojë privatin dhe jo interesin publik.

Tv Klan