“Cenon sigurinë juridike dhe interesin publik”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vijon t’i refuzojë parlamentit dekretimin e disa ligjeve të rëndësishme.

I fundit, që duket me rëndësi për shumicën socialiste, është ai për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

Në këtë ligj përcaktohen kompetencat e Këshillit Kombëtar të Territorit, si dhe saktësohen kompetencat e organeve përkatëse jo vetëm për të rishikuar kushtet e lejes së ndërtimit, por dhe ndryshimin e projektit gjatë ndërtimit.

Pikërisht ndryshimi projektit, që parashikohet në nenin 8, sipas Presidentit mund të sjellë cenim të parimeve Kushtetuese dhe interesit publik.

Sipas kësaj dispozite në procesin e rishikimit të projektit, nuk parashikohet dhënia e pëlqimit apo konsultimi me pronarët e trojeve mbi të cilin realizohet vepra.

Për këtë shkak, zbatimi i këtij neni sipas formulimit aktual, mund të sjellë aplikim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimit kushtetues të sigurisë juridike dhe të interesit publik.

Aplikimi i pikës 2, të nenit 8, mund të sjellë konflikt të vazhdueshëm midis sipërmarrësve apo investitorëve me pronarët e pasurive pronë private, mbi të cilat realizohet ndërtimi/vepra.”

Kreu i shtetit thotë gjithashtu se nga shqyrtimi rezulton se ligji nuk është konsultuar me ministritë e tjera që lidhen me përmbajtjen dhe efektet e aktit, apo me grupet e interesit.

Por veç ligjit të kthyer, kreu i shtetit ka dekretuar tre ligje të tjera, atë për mbrojtjen e florës dhe faunës së egër, ratifikimin e marrëveshjes me KFW për programin e furnizimit me ujë të zonave rurale dhe ligjin “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”.

Vetëm gjatë këtij viti Presidenti i ka kthyer maxhorancës 9 ligje, por dekretet janë rrëzuar serish nga mazhoranca në parlament.

Dy institucionet, në konflikt të hapur prej kohësh, nuk kanë pasur dakordësi për mjaft ligje e drejtues institucionesh. Kreu i shtetit rrëzoi emërimin e Gent Cakajt në Ministrinë  e Jashtme, ndërsa socialistët rrezuan dy propozime të tij për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Vitore Tushën dhe Bahri Shahqirin.

Tv Klan