Meta kthen ligjin për vettingun në polici



Meta kthen ligjin për vettingun në polici

11:33 11/07/2020

“Vetingu, presion i rrezikshëm kur vendi hyn në zgjedhje”

Socialistët hoqën afatet e vetingut për drejtuesit e lartë të policisë për qëllime te tjera nga sa u deklaruan publikisht, sipas presidentit Ilir Meta. Kur jep shpjegime se përse nuk i dekretoi ndryshimet në ligjin për vetingun ne polici, kreu i shtetit flet për keqpërdorim të policisë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

“Heqja e këtij afati krijon të gjitha premisat për mbajtjen nën presion të vazhduar të forcave policore, tashmë edhe të drejtuesve të lartë, nëpërmjet forcës ndëshkuese të mekanizmit të vlerësimit kalimtar. Veçanërisht kur vendi pritet t’iu nënshtrohet edhe zgjedhjeve të përgjithshme, forcimi i këtij presioni përmes vlerësimit kalimtar (vettingut), bëhet akoma më i dëmshëm dhe i rrezikshëm për garantimin e paanësisë së forcave policore e për pasojë, tepër shqetësues.”

Sipas Metës, Shërbimi për Çështjet e Brendeshme dhe Ankesat nuk duhet të përfshihet në procesin e vettingut, pasi ky institucion është në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe mund të përdoret politikisht.

“Vettingu i efektivëve të policisë tashmë i lihet në dorë një pjesë të vogël personash brenda Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, që ka kaluar vettingun. Kjo rrit edhe më shumë kontrollin politik të Ministrit të Brendshëm mbi këtë proces”.

Ligji për vettingun në radhët e policisë është ndryshuar dy herë deri tani, pas hyrjes në fuqi në 2018-tën. Afatet për 300 drejtuesit e parë u hoqën me propozim të Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, për shkak të pandemisë së Covid-19.

Tv Klan




Të ngjashme