Kundër shtyrjes së afatit për kufizimin e PPP-ve

Ashtu siç kishte paralajmëruar presidenti Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend një tjetër ligj pas refuzimit për të dekretuar ndryshimet  në Kodin Penal. 

Kreu i shtetit kërkon rishikimin e neneve 17 dhe 18 të Ligjit tëri për  Partneritetit Publik privat me argumentin se këto dy nene  të propozuara nga ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj shtyjnë hyrjen në fuqi të kufizimeve që vendosen në dhënien e kontratave koncesionare.

Sipas tij këto dy nene kompromentojnë qëllimin e të gjithë pjesës tjetër të ligjit, pasi krijojnë hapësirën për të prodhuar sërish pasoja dhe qëllime klienteliste.

“Kontratat koncesionare do të vazhdojnë të jepen pa kufizim, për çdo lloj fushe, pasi afati u shty nga data 1 Korrik 2019 që ishte planifikuar,  në datë 1 Tetor 2019. Kuvendi duke shtyrë afatin e zbatimit të ligjit, bëhet “de facto”, ligjërues i praktikave të dyshimta koncesionare dhe hap edhe një herë mundësinë që këto praktika që kanë gërryer ekonominë e çdo familje shqiptare, të vijojnë të realizohen pa u penguar edhe për këto 3 muaj të tjerë”.

Presidenti thotë se shtyrja e afatit për kufizimin e kontratave konçesionare shton rrezikun e rritjes së borxhit publik, nisur nga fakti që deri në datën 1 Tetor 2019, mund të paraqiten oferta të reja të pakërkuara. 

Kreu i shtetit kujton se  institucionet financiare ndërkombëtare, kanë kërkuar nga qeveria shqiptare në mënyrë eksplicite eliminimin në mënyrë të menjëhershme të ofertave të pakërkuara, si oferta me një kosto të rëndë në ekonominë e vendit.

Tv Klan