Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim ligjin “Për “Prokurimet”. Presidenca bën me dije se ligji ka si qëllim përmirësimin e kuadrit rregullator të prokurimit publik në Shqipëri.

Më tej Meta në një letër drejtuar deputetëve, ku tregon dhe të gjitha arsyet e kthimit të ligjit shprehet se “nisma legjislative për një ligj të ri për prokurimin publik, është e mirëpritur pasi dispozita të caktuara të ligjit sjellin përmirësim të kësaj fushe, por nga tjetër, nga shqyrtimi tërësor i ligjit, rezulton se disa nene të ligjit të miratuar paraqesin mangësi të theksuara

Po ashtu Presidenti shton se “mangësitë e konstatuara në formulimin e disa dispozitave krijojnë hapësira që jo vetëm të shmangen procedurat e hapura për prokurimet publike, por edhe që dëmtojnë konkurrencën e lirë të operatorëve ekonomikë, mbrojtjen e interesave të tyre në një procedurë prokurimi gjatë ushtrimit të së drejtës së ankimit”. 

Kreu i shtetit arrin në konkluzionin se ligji bie në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese që mbrojnë sigurinë juridike, lirinë ekonomike, barazinë para ligjit, si dhe me nevojën për eficiencë në planifikimin e përdorimin e fondeve buxhetore përmes prokurimeve publike./tvklan.al