Presidenca dhe mazhoranca vihen përpara një tjetër përplasjeje. Kësaj radhe shkas është bërë një nismë e Ministrisë së Mbrojtjes për të ndryshuar ligjin “Për rezervat materiale të shtetit” të miratuar në seancën plenare të datës 20 Qershor. Sipas këtij ndryshimi lëvrimi i mallrave rezervë të shtetit që bëjnë pjesë në grupin A, ku hyjnë prodhimet e arit, argjendit e platinit që dikur bëhej me vendim të këshillit të ministrave tani do të bëhet vetëm me një “Urdhër të Kryeministrit”. Mazhoranca thotë se ndërmori këtë hap për të thjeshtuar procedurën, pasi mënyra e mëparshme sillte vonesa nga momenti i daljes së aktit deri në lëvrimin e mallrave. Por Presidenti Meta thotë se kalimin nga një akt kolegjial siç është vendimi i këshillit të ministrave tek një akt individual pambështetur në ligj cënon interesin publik.

“Çdo aludim se lëvrimi i mallrave të rezervave të shtetit, mund të pengohet nga vonesa e vendimmarrjes së Këshillit të Ministrave, nuk qëndron dhe është një argument fiktiv për të legjitimuar ndërhyrjen që po tentohet të realizohet në ligjin ekzistues Ndërmarrja e kësaj iniciative ligjore është e pajustifikuar ligjërisht dhe për më tepër kjo mënyrë e re e lëvrimit të mallrave pjesë e rezervës shtetërore nëpërmjet Urdhrit të Kryeministrit, nuk garanton plotësisht mbrojtjen e interesit publik në procedurat e administrimit dhe lëvrimit të mallrave me vlerë që përbëjnë grupin kryesor të mallrave të rezervave të shtetit.”

Kreu i shtetit thotë se ligji që i takon vitit 2008 nuk është ndryshuar për një periudhë 11-vjeçare dhe se implementimi i tij në praktikë, nuk rezulton të ketë sjellë ndonjë problematikë, e cila të jetë bërë pengesë në veprimtarinë e  strukturave shtetërore të ngarkuara për zbatimin e tij.

Për më tepër, sipas tij që nisur nga rëndësia dhe vlera që kanë mallrat e Grupit A të rezervave të shtetit është në interes të publikut që kontrolli ndaj çdo veprimi mbi këto mallra të jetë maksimal dhe jo një marrëdhënie midis Ministrit dhe Kryeministrit. Ky është i disati ligj që kreu i shtetit kthen për rishqyrtim, duke nisur që nga ligji për ligjin për uljen e tatimit për lojërat e fatit, ligji  teatrin, ai për Kadastrën, dhe deri te ligji për vettingun e policisë.

Tv Klan