Meta kthen për rishqyrtim ndryshimet në Kodin Zgjedhor



Meta kthen për rishqyrtim ndryshimet në Kodin Zgjedhor

12:08 23/10/2020

Kërkesë “Venecias” të japë një opinion për çështjen

Presidenti nuk është mjaftuar vetëm me kthimin për rishqyrtim në Parlament të Kodit Elektoral por i është drejtuar dhe Komisionit të Venecias me një kërkesë urgjente për një opinion të specializuar.

Meta dekretin e tij e ka shoqëruar me argument të shtjelluara në një raport prej 81 faqesh që në thelb tregojnë se ndryshimet në Kod që erdhën si domosdoshmëri pas ndryshimeve kushtetuese jo vetëm shkelin marrëveshjen e 5 Qershorit por dhe Kushtetutën.

Për Presidentin janë shkelur disa dispozita të rëndësishme të neneve të dakortësuar në Këshillin Politik.

Në marrëveshjen e arritur fal faktorit ndërkombëtar sipas këshilltarëve të kreut të shtetit lejohen koalicionet parazgjedhore të cilat mund të regjistroheshin si subjekte më vete për të kandiduar me listat shumëemërore ndërsa në ndryshimet e bëra në mënyrë të njëanshme koalicionet parazgjedhore lejohen vetëm me listë shumëemërore unike.

Po ashtu në këndvështrimin juridik të presidencës kandidatëve i mohohet e drejta e ankimimit individual por kjo është në vullnetin e subjektit. Një shkelje kushtetuese sipas tyre që pasohet dhe diskriminimi i partive të vogla me ndryshimin e pragut elektoral dhe zhbalancimit të konvertimit të votave në mandate.

Pasoja e këtij ndryshimi do të jetë reduktimi i pluralizmit politik parlamentar sipas Metës aq me shumë në kushtet kur kryetari i Partisë Socialiste përmes forcës dhe keqpërdorimit të veprimtarisë së Kuvendit përpiqet të vendosë se kush forcë politike duhet të ekzistojë e kush jo, dhe kjo e bërë në mënyrë të mirë studiuar për të nxjerrë jashtë ndikimit politik disa parti.

Një tjetër akuzë e rëndë e bërë nga kreu i shtetit për shumicën është dhe ajo se ka parashikuar me ligj  favorizimin e  deputetëve aktualë ilegjitimë të cilët mund të regjistrohen vetëm me një vërtetim të Kuvendit në zgjedhje dhe jo duke mbledhur firmat e nevojshme të mbështetëse edhe pse për Metën janë në mënyrë aksidentale në parlament.

E gjitha kjo sipas presidentit është bërë nga Rama në këmbimi të votave të marra për amendimet e miratuara në 5 Tetor, çka ai e cilëson si korrupsion legjislativ që duhet të hetohet penalisht.

Edhe fakti se ndryshimet erdhën pasi presidenti kishte dekretuar datën e zgjedhjeve për Metën është një tjetër shkelje.

E duke qenë se Gjykata Kushtetuese ende nuk është funksionale për të gjykuar mbi këto ndryshime Meta justifikon kërkesën drejtuar Komisionit të Venecias. Mbledhja me e afërt e të cilit mund të mbahet në muajin Dhjetor të këtij viti.

Tv Klan




Të ngjashme