Presidenti i vendit Ilir Meta ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.

Në argumentet e tij, Meta shprehet se është momenti që të reflektohet mbi faktin se, zhvillimi tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, kërkon patjetër plotësimin e parakushteve, në mënyrë të veçantë adresimin e standardeve të dobëta të qeverisjes së korporatave, dhe nga ana tjetër forcimin e kapaciteteve të institucioneve shtetërore mbikëqyrëse të këtyre tregjeve, për të përballuar në kohë rrezikun që mund të shfaqet.

Kjo për të rritur nivelin e sigurisë së produkteve financiare dhe të vetë stabilitetit ekonomiko-financiar, në mbrojtje të interesit publik.

“Miratimi i ligjeve në këtë fushë mbetet ende një risi dhe për vendet e zhvilluara, ndërsa në Shqipëri, ndërmerren direkt hapa për implementimin e tyre pa një vlerësim të mirëfilltë, vlerësim ky që mungon në praktikën dokumentare parlamentare. Implementimi i dispozitave të tilla ligjore, në një realitet si ky i yni, bart me vete rrezikun e shumëfishimit të rreziqeve negative që kjo risi paraqet në vende të zhvilluara. Këto rreziqe mund të sjellin pasoja sociale brenda familjeve shqiptare dhe pasoja ekonomike, deri në atë masë sa mund të lëkundin stabilitetin e monedhës vendase, rritjen e inflacionit apo të kursit të këmbimit të lekut me monedha të huaja”, shprehet Meta.

Sipas kreut të shtetit një nismë e tillë, e miratuar pa një vlerësim të thelluar të kushteve ekonomike dhe rregullatore të vendit, që nuk synon të përafrojë asnjë rregullore apo direktivë, rrezikon të cenojë interesin publik në tërësi, për shkak se prek shumë aspekte të jetës dhe veprimtarisë së përditshme.

Për gjithë sa u parashtrua më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85, pika 1, të saj, kam vendosur  kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë. Shqetësimet e parashtruara më sipër për nenet 3, 9,10, 13, 14, 15, 29, 36, 44, 45, 49, 51, 63, 70, 77, 82, 83, 88, 90, 92, 100, 105, duhet të mbahen në konsideratë nga ana juaj gjatë rishqyrtimit të këtij ligji. Kuvendi duhet të analizojë me kujdes në kushtet aktuale të ekonomisë së vendit tonë dhe në raport me kapacitetet për ushtrimin e kontrollit efektiv, të gjitha risqet që lidhen me paqëndrueshmërinë, natyrën e decentralizuar, kërcënimet e perceptuara ndaj sistemeve monetare aktuale dhe hapësirave që mund të krijohen për zhvillimin e aktiviteteve të paligjshme të pastrimit të parave përmes aktiviteteve tregtare virtuale”, e mbyll argumentimin e tij presidenti. /tvklan.al .