“Shkel Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në parlament aktin normativ me të cilin u miratua paketa ligjore e Operacioni Forca e Ligjit.

Meta rreshton 8 argumente ligjore dhe kushtetuese, që e çuan në mosdekretimin e këtij akti, ndërkohë që paketa ka nisur të zbatohet, duke kaluar në filtrin e pasurisë së një sërë emrave me precedentë penalë.

Por sipas kreut të shtetit, ky akt normativ tejkalon kompetencat kushtetuese të Këshillit të Ministrave dhe shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Sipas Presidentit, akti shkel njëherazi disa të drejta dhe liri themelore të njeriut, si e drejta e pronës private, e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, apo prezumimi i pafajësisë.

Për kreun e shtetit, OFL-ja bie ndesh dhe me parimet që janë në themel të Kushtetutës.

Një tjetër argument është dhe shkelja kushtetuese e funksionimit të Prokurorisë se Posaçme dhe gjykatave speciale, si dhe bie ndesh me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.

Operacioni Forca e Ligjit nisi menjëherë pas miratimit nga qeveria të aktit normativ, duke iu kërkuar të gjithë subjekteve të ligjit, persona të akuzuar apo dënuar për përfshirje në krim të organizuar apo terrorizëm të provojnë se pasuria e tyre nuk është vendosur për shkak të këtij aktiviteti kriminal.

Nga fillimi i Shkurtit deri në javën e parë të Marsit, Operacioni Forca e Ligjit iu dërgoi kërkesë për sqarimin e pasurisë së tyre emrave të njohur të botës së krimit të organizuar. Këto operacione janë pezulluar pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Tv Klan