“Thellon konfliktin social, krijon abuzime të mëdha”

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim një tjetër ligj të miratuar nga maxhoranca, atë për pronat e paluajtshme shtetërore në bregdet.

Në argumentin e tij ligjor, kreu i shtetit sqaron se nisma e qeverisë e miratuar me urgjencë brenda 7 ditëve nga kuvendi rrezikon të shkaktojë një problematikë në raport me të drejtën e gëzimit dhe posedimit të pronës sipas titujve të fituar të pronësisë.

“Ndërhyrjet e miratuara bëjnë që askush të mos jetë në gjendje të përcaktojë ligjërisht nëse një pasuri pronë private, e ndodhur në afërsi të bregdetit dhe e përfituar me një nga mënyrat e ligjshme të fitimit të pronësisë, ndodhet ose jo nën regjimin e përcaktuar si pronë publike e patjetërsueshme pjesë e ‘vijës bregdetare’, si dhe çfarë do të ndodhë me mënyrën e gëzimit të kësaj të drejte pronësie mbi këtë pasuri, me të gjitha të drejtat që burojnë prej saj”, njofton presidenti.

Ligji, vijon argumentin e tij Presidentit, sjell për pasojë edhe abuzime me pronat në bregdet.

“Në praktikë ky ligj krijon hapësirën që të ndodhin abuzime të mëdha ashtu si deri më tani, ku për shkak të ndërhyrjeve dhe interesave të ndryshme, gjerësia dhe shtrirja e asaj që konsiderohet si “bregu i detit” të pësojë deformime të mëdha dhe jashtë realitetit, duke krijuar rrezik të shtuar për cenimin e pronës publike apo në raste të tjera, kjo pasuri arbitrarisht t’i nënshtrohet shpronësimit për interes publik. Mbi të gjitha, ky ligj bën një trajtim preferencial dhe jo të barabartë të subjekteve apo individëve që gëzojnë tituj pronësie apo përdorimi mbi pasuri të paluajtshme përgjatë bregdetit shqiptar, në raport me investitorët në këto zona”, thotë Meta.

Ky ligj, sqaron kreu i shtetit në vend që të adresojë problematikën e pronave në Shqipëri, thellon edhe më shumë konfliktin social në vend.

Tv Klan