Presidenti i Republikës ktheu mbrëmjen e së martës një tjetër ligj për rishqyrtim në Kuvend, atë “Për kadastrën”, me qëllim rishqyrtimin e tij.

“Në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se me Dekretin nr. 11055, datë 15.01.2019, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin në Kuvend të ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën”, me qëllim rishqyrtimin e tij, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti”.

Më herët, po këtë të martë kreu i shtetit ktheu Ligjin për Noterinë, ku sipas tij, ka 3 nene që bien ndesh me Kushtetutën. Meta thotë se neni 61 nuk është i qartë dhe në harmoni me disa nene të tjera të këtij ligji dhe krijon paqartësi dhe mundësi të interpretimit gjatë aplikimit në praktikë.

Edhe neni 65, sipas Metës nuk garanton trajtim të barabartë të noterëve përballë kostos që do të duhet të përballojnë për sigurimin e veprimtarisë së tyre, si dhe mund të krijojë një deformim në tregun e sigurimeve referuar sigurimit të veprimtarisë së noterëve. Të paqartë Meta ka gjetur edhe nenin 76 të këtij ligji.

/tvklan.al