Krijon hapësira për abuzime korruptive

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar kthimin për rishqyrtim të ligjit për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. 

Presidentit argumenton se ky ligj që ka në thelb procedurën për furnizimin me pajisje ushtarake të klasifikuara, mallra apo shërbime, cënon parimet e rëndësishme kushtetuese.

Kjo pasi sipas tij shmangen procedurat e hapura për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë dhe ul ndjeshëm mundësinë e biznesit vendas për pjesëmarrje.

Kreu i shtetit e sheh mungesën e përcaktimit të qartë të fushës së zbatimit të këtij ligji si cënim të parimit të lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe rrit mundësitë për dëm ekonomik ndaj financave të shtetit.

Sipas Metës, “Kuvendi përmes miratimit të kësaj dispozite, po bën gabimin më të rëndë në procesin legjislativ, pasi krijon hapësirë për shpërdorimin e fondeve publike, nën mbulimin e përjashtimit ligjor dhe i hap rrugën praktikave me risk të lartë korruptiv dhe klientelist”.

Ndërkohë, Presidenti këtë të hënë ka firmosur dekretet për 4 ligje të tjera; ligjin për faljen e masave administrative me karakter ndëshkues për kohën e pandemisë, si dhe 3 ligje për ratifikim marrëveshjesh.

Tv Klan