“Nuk ndaloj askënd të rreshtohet në krahun e grupit të falsifikatorëve”

Teksa Kryeministri Rama e akuzonte nga Parlamenti se është rreshtuar në mbrojtje të kriminelëve, përgjigjen Presidenti Ilir Meta ia dha në krah të homologut të tij bullgar nga Pallati i Brigadave.

“Nuk shprehem për çështje të brendshme dhe aq më tepër të merrem me një zonje të nderuar si gruaja e Bilalit nuk është serioze kjo. E rëndësishme është që pres Bullgarisë ka dhënë mesazhe për çeljen e negociatave dhe ju e dini që për fat të keq kushtet ndaj vendit tonë kane ardhur duke u shtuar dhe kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit për të cilat raportet tregojnë se kush e ka përgjegjësinë. Megjithatë, ne shpresojmë që në fund të Marsit, pavarësisht problemeve tona, BE të na japë mundësinë”.

Interesit të gazetarëve nuk i shpëtoi as vlerësimi i ambasadores amerikane për ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, e paditur nga Presidenti Meta në SPAK për falsifikim. Kreu i shtetit nuk e fshehu pakënaqësinë për këtë veprim të ambasadores Juri Kim.

“Ministrja vazhdon të jetë krenare dhe vazhdon t’i mbajë leksione Prokurorisë, kur duhet të përgjigjet te prokuroria, nëse ky institucion është i paanshëm, por kjo është çështje e saj. Nuk ndaloj askënd të rreshtohet në krahun e grupit falsifikator, kushdo qoftë brenda dhe jashtë vendit. Unë kam respektin më të madh për partnerët ndërkombëtarë, për atë që kemi bërë në Kushtetutë, por më vjen keq për të gjithë ata që nuk kanë kontribuuar me integritet dhe përkushtim në respekt të Kushtetutës, por për fat të keq kanë mbështetur, diku hapur, diku tinëzisht, në kundërshtim me Kushtetutën, kapjen e këtij sistemi që na ka lënë 3 vjet pa gjykata, duke penguar çeljen e negociatave”.

Për debatin në Gjykatën Kushtetuese u pyet edhe Presidenti bullgar, nëse kishte ndonjë vend në Europë pa këtë gjykatë, por ai iu shmang.

“Duhet të them se kontradikta politike ka në çdo shtet demokratik. Atë që vumë re dhe sot, në Shqipëri është provë që po zhvillohet në rrugë demokratike, ku secili ka të drejtën e mendimit dhe partitë mund të shprehin qëndrimet e tyre. Shqipëria ka një objektiv kombëtar, që është perspektiva evropiane e saj. Keni një shans të madh dhe qëndrimi i Bullgarisë është që vendi juaj të nisë negociatat për në BE. Këtë e prisnim në Tetor, por nuk ndodhi, unë shpresoj që partitë politike në Shqipëri do të bëjnë edhe njëherë vlerësimin e vetë për rëndësinë e kësaj pozite unike, që të garantojë fillimin e bisedimeve. Nëse kjo bëhet, do të zgjidhen të gjitha problemet e brendshme”.

Në vend të tij, përgjigjen e drejtpërdrejtë e dha Presidenti Meta.

“Nuk ka asnjë vend në Evropë që të ketë qëndruar edhe një minutë të vetme pa Gjykatë Kushtetuese apo pa Gjykatë të Lartë”.

Gjatë takimit, si dhe në konferencën e përbashkët për shtyp, të dy Presidentët bënë thirrje për menaxhim të situatës humanitare dhe të sigurisë nga ana e BE-së lidhur me krizën e refugjatëve sirianë në kufirin greko-turk.

Tv Klan