Presidenti mesazh Kryeministrit të tërhiqet nga nisma

Kur e pyesin për 30 Korrikun, datën që Edi Rama ka caktuar të votojë në parlament ndryshimet e Kushtetutës, Presidenti Ilir Meta reagon prerë, duke kujtuar marrëveshjen e 5 Qershorit.  

“Kush e ka vendosur këtë afat, e ka vendosur BE? E ka vendosur Parlamenti Europian? Bundestagu? NATO? Kush e ka vendosur 30 Korrikun? Kush e ka shpikur këtë 30 Korrikun? Çfarë është 30 Korriku sepse nuk e kuptoj? Ekziston vetëm një datë e rëndësishme, 5 Qershori. Sepse ekziston një marrëveshje ku janë investuar të gjitha forcat politike të vendit, është e vetmja marrëveshje që mundëson rikthimin e legjitimitetit të gjithë institucioneve”.

Megjithë retoriken e ashpër, kreu i shtetit duket i gatshëm t’i bashkohet tryezës së Këshillit Politik, por thotë se ftesa për të nuk mund të vije nga Twitter.

“Nuk ftohet presidenti në Këshillin Politik me gjëra të tilla, kaq të shëmtuara dhe kaq jo serioze si ky Twitter-i këtu, që IM nëse dëshiron, pas LB, etj etj.”

Kreu i shtetit përmendi edhe një herë tjetër legjitimitetin e cunguar të parlamentin pas djegies së mandateve të opozitës, por tha se parlamenti ishte krejt legjitim të votonte marrëveshjen e 5 Qershorit.

“Kur parlamenti vepron në përputhje me Kushtetutën, në përputhje me rekomandimet e Venecias të cilës i është drejtuar vetë, parlamenti padyshim që është legjitim”.

Presidenti pati një takim paraditen e sotme me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, me të cilin ndau qëndrimin se prekja e njëanshme e Kushtetutës është e papranueshme.

Në takimin me ambasadorët, nuk ka munguar diskutimi për situatën politike, por kreu i shtetit tha se i njohu ato me ligjet që u miratuan në Kuvend, një prej të cilëve në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias për ceremoninë e betimit tek Presidenti të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Tv Klan