Meta kundër shembjes së Teatrit Kombëtar



Meta kundër shembjes së Teatrit Kombëtar

10:28 09/05/2020

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar lidhur me vendimin për të shembur Teatrin Kombëtarë.

Në një deklartë, Meta shprehet s ee ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim ëtë çështje, ndërsa thekson se kompleksi i Teatrit Kombëtar mishëron vlerat e identitetit dhe trashëgimisë tonë kombëtare, vlera këto që gëzojnë mbrojtje të veçantë dhe të drejtëpërdrejtë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

“Këshilli i Ministrave ditën e djeshme në datë 8 maj, ka vendosur që këtë pasuri kombëtare t’ia kalojë në pronësi Bashkisë Tiranë, me qëllim ndërtimin e një godinë të re të Teatrit Kombëtar. Kjo vendimmarrje në praktikë do të thotë se aktualisht po përdoret një procedurë tjetër “ekstra ligjore” tashmë në përgjegjësinë vetëm të Bashkisë Tiranë, për të prishur godinat e Teatrit Kombëtar.

Ky vendim i Këshillit të Ministrave dhe vullneti i shprehur i Bashkisë Tiranë, nuk është në përputhje me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, si dhe nuk përkon me vlerat e Bashkimit Europian, institucionet kulturore të të cilit kanë shprehur vullnetin për mbrojtjen e këtij objekti dhe restaurimin e tij.

Ky vendim i djeshëm i qeverisë me të drejtë ka krijuar një reagim të fortë qytetar, pasi veç të tjerash merret në një kohë kur vendi po i nënshtrohet gjëndjes së fatkeqësisë natyrore dhe masave kufizuese të lirisë së qarkullimit, si dhe në një moment kur pikërisht kjo çështje ndodhet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, që prej 3 vitesh nuk është funksionale”.

Presidenti Meta, thekson se në muajin Korrik 2019, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë e cila do të duhet ta shqyrtojë në themel këtë çështje.

“Në këtë proces gjyqësor që duhet të shqyrtohet është palë si Këshilli i Ministrave, Bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës, etj, ndaj marrja e një vendimi të tillë në këtë moment, rëndon pozitën antikushtetuese të veprimtarisë shtetërore ndaj këtij objekti me rëndësi kombëtare”.

Presidenti Meta, i kujton të gjithë organeve shtetërore përfshi këtu dhe Këshillin e Ministrave dhe Bashkisë Tiranë, se një prej çështjeve kryesore që pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, nuk kanë të bëjë vetëm me faktin nëse ligji special nr. 37/2018 është antikushtetues, por më kryesorja lidhet me detyrimin ligjor që çdo veprim apo vendim shtetëror që synon apo ndërmerret për prishjen e Teatrit Kombëtar, cënon drejtpërdrejt parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare.

“Gjithashtu një tjetër çështje që do shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuse ka të bëjë me edhe faktin se veprimtaria administrative shtetërore e pushtetit qëndror apo lokal që synon apo ndërmerr veprime për prishjen e Teatrit Kombëtar, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim, të mishëruara edhe në Konventën Europiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”.

Meta i bën thirrje autoriteteve shtetërore, se çdo veprim apo vendim për të cenuar godinat e Teatrit Kombëtar është jashtë çdo llogjike të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri dhe do të dhunonte në mënyrë kriminale rendin kushtetues, në kundërshtim të plotë edhe me interesin publik dhe kombëtar.

“Këto institucione duhet të tregojnë vullnet dhe përkushtim për krijimin e mjediseve në dobi të aktorëve dhe të publikut, duke synuar ndërtimin e godinave të reja funksionale bashkëkohore, por njëkohësisht pa prekur dhe cenuar aspak trashëgiminë e krijuar ndër vite në kompleksin e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, pasi një humbje e tillë do të ishte përfundimisht e parikuperueshme në të ardhmen”. /tvklan.al



Të ngjashme