Teksa mazhoranca bëri me dije sot se ka nisur proceduarat për shkarkimin e kreut të shtetit, Presidenti Ilir Meta ka bërë një tjetër deklaratë. Gjatë një takimi në Presidencë me një grup studentësh e profesorësh nga të gjitha trevat shqiptare, Meta ka deklaruar se Kushtetuta do të mbrohet deri në fund me qetësi dhe shqiptari.

“Në këtë ditë të veçantë për kombin tonë, në 141-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në prag të kremtimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, pata kënaqësinë e veçantë të zhvilloja një takim të ngrohtë e vëllazëror me një grup studentësh e profesorësh nga të gjitha trevat shqiptare, të Kolegjit Universitar AAB në Prishtinë.

I lumtur të ndanim qëndrimin se rinia duhet të jetë promotore e proceseve demokratike dhe integruese në të dy vendet tona dhe se është shumë e rëndësishme që Shqipëria e Kosova të forcojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Të bëjmë të gjitha përpjekjet për të rritur shpresat dhe për t’i hapur perspektivat rinisë, për të ndërtuar të ardhmen në vendet tona.

Lidhur me shqetësimin e tyre për zhvillimet në Shqipëri i garantova se Kushtetuta do të mbrohet deri në fund me qetësi dhe shqiptari”.

Konferenca e jashtëzakonshme e Presidentit Ilir Meta ku shpjegoi arsyet pse vendosi anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit solli një sërë zhvillimesh. Edi Rama mblidhi kryesinë e PS, ku u tregua i prerë duke thënë së vendi është Republikë Parlamentare dhe jo Presidenciale dhe dita e enjte do të finalizohet me rezolutë për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Më pas kryeministri Rama zhvilloi për rreth 1 orë e 30 minuta një takim me ambasadorët e huaj lidhur me situatën politike në vend./tvklan.al