Meta: Ky parlament s’mund të më shkarkojë

Posta

Meta: Ky parlament s’mund të më shkarkojë

15:36 04/10/2019

Venecia mund të çmendet, por s’largohem nga detyra

Ilir Meta nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga posti i Presidentit, edhe pse më herët vuri në lojë karrigen e kreut të shtetit, duke u shprehur i gatshëm të largohej nga detyra, nëse Komisioni i Venecias konstatonte shkelje të Kushtetutës me anulimin që i bëri zgjedhjeve të 30 Qershorit.

“Në qoftë se çmendet Venecia, nuk kam ndërmend…! Unë kam thënë në qoftë se thotë shkelje dhe më bind po, kam thënë dhe më bind. Në qoftë se nuk më bind? Respekti nuk është i dhënë njëherë e përgjithmonë. Respekti, ruhet gjithmonë. Në qoftë se Venecia vendos të çmendet, le të çmendet Venecia, unë nuk do çmendem të lë Shqipërinë në kaos.”

Në një intervistë për emisionin “Opinion” Meta thotë se do të qëndrojë në detyrë deri në përfundim të mandatit e aq më pak i druhet një shkarkimi nga ana e maxhorancës në parlament. Ai thotë se parlamenti s’mund ta shkarkojë, pasi mandatet e deputeteve te rinj janë të paligjshëm.

“Në rast se Parlamenti e ka këtë dëshirë, nuk është thjeshtë vetëm te Gjykata Kushtetuese, por Parlamenti ka vetëm 82 vota plotësisht legjitime për të gjykuar Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Deri më 24 Korrik 2022 jam këtu zoti Fevziu.”

Presidenti bën përgjegjës për krizën politike kryeministrin Rama.

“Edhe Ramiz Alia, i cili ka qenë në këtë zyrë më 1991, i shtyu zgjedhjet edhe pse e dinte që Partia Demokratike donte karrigen e tij, i shtyu dy muaj…Ramiz Alia u soll për atë situatë si një burrë shtetit, sepse mund ta kishte vendin drejt një gjakderdhjeje në emër të respektimit të Kushtetutës, në emër të respektimit të ligjit, të respektimit të procedurave. Situata këtu ka qenë e ngjashme.”

Pa thumbuar nuk lë edhe ndërkombëtarët në Tiranë, duke e akuzuar se u bënë palë në skenarin e përplasjes së shqiptarëve.

“Ilir Meta nuk mund të priste as për qejfin e Edi Ramës, as për qejfin e Lulzim Bashës dhe as për qejfin e Monikës, që t’i mbajë iso Lulzim Bashës dhe as për qejfin e disa ndërkombëtarëve, që disa herë u bënë palë dhe ndonjëherë bënë edhe palaço të vriteshin shqiptarët dhe pastaj të thonin: Po Presidenti çfarë bëri?”

Mohon që mes tij, ish-kryeministrit Berisha dhe përfaqësues të opozitës të ketë pasur një pakt për të rakorduar lëvizjet.

“Zero marrëveshje midis meje dhe Berishës! Zero marrëveshje midis meje dhe Lulzim Bashës! Zero marrëveshje mes meje dhe Monika Kryemadhit!”

Për daljen nga kriza thotë se ka vetëm një rrugë dhe ato janë zgjedhjet e parakohshme.

“Tani unë nuk e di se si do zgjidhet kjo situatë pa zgjedhje.”

Nuk e tremb aspak ngritja e SPAK-ut, që pritet të hetojë zyrtarët e lartë.

“Zero, zero dhe më mirë nga të gjithë këtë gjë e di Edi Rama. Sepse unë në raport me ligjin jam njeriu dhe politikani më i kujdesshëm në Shqipëri. Sepse dua gjithmonë të ruaj pavarësinë time dhe integritetin tim.”

Presidenti Meta mohoi gjithashtu të ketë pasuri të paluajtshme të regjistruara jashtë vendit.

Tv Klan


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi