Meta: Opinioni i Venecias, kontradiktor dhe jo profesional

Meta: Opinioni i Venecias, kontradiktor dhe jo profesional

12:54 04/10/2019

Presidenti, letër Buquicchio-s me kritika për opinionin paraprak 

I pakënaqur me opinion paraprak të Komisionit të Venecias, i cili thotë se Presidenti i Republikës i tejkaloi kompetencat e tij me anulimin e datës së zgjedhjeve, Ilir Meta i është drejtuar Presidentit të këtij institucioni, Giani Buquicchio, me një letër që e kishte paralajmëruar prej ditësh se do ta bënte publike.

Kreu i shtetit ka rreshtuar 10 konstatime, që sipas tij tregojnë mungesën e objektivitetit, mosnjohjen e realitetit dhe tejkalimin e kompetencave të tyre nga ekspertet që hartuan projekt–raportin.

“E gjej me vend të theksoj se vetëm një njohje e thellë e situatës në Shqipëri do të mundësonte vlerësimin objektiv të veprimtarisë kushtetuese të Presidentit. Këtë bindje e përforcova gjatë takimit që pata me reporterët e Komisionit të Venecias në Tiranë, të cilët më shfaqën hapur shqetësimin se nuk e njihnin aspak as historinë, dhe as kontekstin e zhvillimit të ngjarjeve, duke e konsideruar si element kyç për interpretimin e saktë të veprimtarisë kushtetuese të Presidentit të Republikës. Vlerësimi dhe interpretimi i germës së Kushtetutës në lidhje me ushtrimin e kompetencave dhe rolin e Presidentit të Republikës janë të pamjaftueshme nëse nuk vendosen në dritën e rrethanave ekstreme ku janë zbatuar. Asnjë president republike nuk do të mund të anashkalonte apo të mbetej i pandikuar prej rrezikut permanent të gjakderdhjes dhe cenimit të stabilitetit dhe imazhit të vendit. Asnjë shqiptar që ka ende kujtesë nga regjimi çnjerëzor komunist, nuk do të mbetej i pashqetësuar prej rrezikut të kthimit të shtetit-parti pas 29 viteve të demokracisë së brishtë shqiptare.”

Sipas Metës, ekspertet e Venecias kanë tejkaluar kompetencat e institucionit që përfaqësojnë, madje u kanë dhënë përgjigje dhe çështjeve për të cilat nuk janë pyetur nga Kuvendi i Shqipërisë. Presidenti thotë se ata janë kontradiktorë dhe kanë ndërhyrë edhe në kompetenca të OSBE/ODIHR-it.

Paraqitja e fakteve dhe rrethanave në projekt-opinion është e pabalancuar dhe e paplotë. Shmangia dhe pamundësia e një procesi të plotë faktmbledhës që dëshmojnë përmasën e thellë dhe të gjerë të krizës politike në Shqipëri sjell vlerësim të gabuar edhe të situatës juridike; 3. Projekt-opinioni nxjerr disa konkluzione që tejkalojnë mandatin e Komisionit të Venecias si organ këshillimor, dhe për të cilat nuk është pyetur nga Kuvendi i Shqipërisë. Vlerësimi i shkallës së rrezikut në Shqipëri duke u kufizuar në ballafaqimin e cunguar të deklaratave të autoriteteve publike është joprofesional dhe janë jashtë objektit të punës së ekspertëve të Komisionit të Venecias. 4. Disa vlerësime dhe konkluzione të ekspertëve të Komisionit të Venecias bien në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare dhe me frymën mbi të cilën është ndërtuar Kushtetuta, për sa i takon rolit dhe kompetencave të Kreut të Shtetit; Ekspertët kanë tejkaluar objektin e punës së tyre duke ndërhyrë në kompetencat dhe vlerësimin e OSBE/ODHIR, institucioni më i lartë i autorizuar për monitorimin dhe trajtimin e çështjeve zgjedhore. Projekt-opinioni i Komisionit të Venecias dhe Raportet e OSBE/ODIHR sfidojnë gjetjet dhe konkluzionet e njëri-tjetrit.”

Ekspertët, thotë Presidenti, në disa raste kanë tejkaluar kompetencat e tyre këshillimore dhe i kanë veshur vetes atributet e gjykatësit.

Ky opinion jo i drejtë, Meta vlerëson se mund të shërbejë dhe si një precedent i rrezikshëm që mund të përdoret nga udhëheqës autokratë, që duan të anashkalojnë opozitën.

Nëse ky projekt miratohet siç është, atëherë çdo lider autokrat mund ta intepretojë këtë opinion të Komisionit të Venecias në favor të tij. Në emër dhe në respekt të aspekteve proceduriale, çdo lider autokrat do të frymëzohet për të shtyrë opozitat që të dalin jashtë sistemit, apo të pamundësojë me forma të fshehura pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, duke shkelur në themel të gjitha standardet thelbësore të zgjedhjeve në sistem demokratik, gjithmonë në emër të “respektimit” të procedurave të zhvillimit të tyre. Shqipëria ka patur votime periodike dhe plotësisht të qeta gjatë sistemit totalitar, por kjo s’do të thotë se ato ishin të lira, të ndershme dhe demokratike.

Sipas presidentit ky dokument po shërben për të rindezur sërish polarizimin politik që në këndvështrimin e tij kishte ardhur duke u shuar falë dhe ndërhyrjes së ndërkombëtarëve. Ndërsa maxhorancën e akuzon se po e përdor politikisht këtë draft paraprak.

Kuvendi i Shqipërisë, edhe pse në dukje ka adresuar 8 (tetë) pyetje me natyrë ligjore dhe kushtetuese për Komisionin e Venecias, është i interesuar vetëm për përdorimin e tij politik duke ngritur një kurth të pamerituar për Komisonin e Venecias. Ky projekt-opinion nuk është trajtuar dhe as pritet të trajtohet juridikisht nga Kuvendi, por vetëm politikisht, pasi ky ishte edhe qëllimi fillestar dhe i vetëm i të gjithë procesit.

Si kundërpërgjigje Meta i drejton Venecias dhe 10 pyetje që lidhen me kompetencat që Kushtetuta i njeh Presidentit. Në thelb ai i kërkon komisionit të shprehet, se përveç Presidentit kush institucion tjetër mund të nxjerrë dekrete për datën e zgjedhjeve, a mundet që Kuvendi të shqyrtojë dekretet e Presidentit dhe a ka kompetence Komisioni i Venecias të vlerësojë zgjedhjet lokale?

Presidenti i kërkon kreut të Komisionit të Venecias që shqetësimet e tij të shqyrtohen nga të gjithë anëtarët dhe që të reflektohen në draftin final që do të bëhet publik në 11 Tetor.

Tv Klan

Delta
LAJMET

Të ngjashme

AZHBR
UKT
UKT