I bindur se nëse do të kishte qenë në Shqipëri kur opozita vendosi të lerë mandatet, të paktën LSI-ja nuk do ta kishte bërë një lëvizje të tillë, Presidenti Ilir Meta zbuloi një mesazh që Kryeministri Edi Rama, sipas kreut të shtetit i kishte dërguar në telefon dy ditë pas vendimit të opozitës për djegien e mandateve.

“Po të isha unë këtu, besoj që opozita nuk do t’i braktiste mandatet e saj, por unë isha në Gjermani. Ose të paktën, ish-partia që unë kam përfaqësuar nuk do t’i braktiste mandatet, se shpirti im e di, jo i Monikës akoma, se çfarë kam hequr unë për të shpëtuar LSI-në nga asgjësimi i marrëveshjet se 17 Majit, që nuk ishte marrëveshje për standardet e zgjedhjeve, këtë po vuan edhe Luli tani. Edhe për të treguar që nuk është në lojë me atë doli në rrugë. Unë nuk e kam zakon të komunikoj në këtë mënyrë dhe të nxjerr mesazhe, por mesa duket do fillojmë t’i nxjerrim këto punë, do i çojmë edhe Arkivit të Shtetit ca dokumente që t’i ketë për histori. Në 18 Shkurt, pra 2 ditë pas 16 Shkurtit, shikoni çfarë i shkruan Kryeministri, Presidentit të Republikës, meqenëse Luli dhe Mona kanë thënë që do të djegin mandatet”.

Mesazhi: “Lulit i kam shkruar në fund të vitit 2017, se pas zgjedhjeve lokale nuk do të jetë më kryetar partie (e ka gjet kryetarin), ndërsa ty po të shkruaj sot, që pasi të mbarosh mandatin si president nuk do të gjesh më gjurmë LSI-je. Mbase jam gabuar, por më pëlqen të bëj parashikime mbi bazën e analizave të mia dhe përtej të tërave sinqerisht më vjen keq.”

“Pra i vjen keq edhe për Lulin, por i vjen keq edhe për mua që nuk do të gjekam më gjurmë LSI-je”, komentoi Presidenti pasi lexoi mesazhin në fjalë, ndërsa shtoi se ai mund të bënte një LSI shumë herë më të madhe. Por ky, theksoi Meta, nuk ishte qëllimi i tij.

“Mua kur s’më erdhi keq për gjithë historinë time në Partinë Socialiste, që i dhashë ditët më të mira, në ditët më të vështira, më të zeza, që nuk hynte asnjë njeri atje vetëm 70 vjeç e lart. Mua s’më vjen keq as për LSI-në se e kam bërë për t’i dhënë një mundësi Shqipërisë dhe të gjithë atyre si Gjosha, Panariti, Mehmetaj etj, që të bëjnë diçka të mirë për Shqipërinë. Edhe ai ta dijë mirë se unë në çdo moment bëj një LSI nga 3-4 herë më të madhe se ajo që e kam lënë. Por ky nuk është qëllimi im. Qëllimi im është që të mos e lejoj Edin dhe ata, peng i të cilëve është Edi, që të mos lenë gjurmë demokracie këtu dhe të mos lenë gjurmë Shqipërie këtu, prandaj të thellohet”./tvklan.al