Presidenti Ilir Meta shprehet se nuk mund të shembet Teatri Kombëtar pa përfunduar e gjithë procedura kushtetuese dhe ligjore.

Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i shtetit shprehet se “faktet e bëra publike orët e fundit flasin qartë për një veprimtari të mirëstrukturuar kriminale, të paamnistueshme në çdo kohë, që kërkon të jetësojë marrëzinë për t’i vënë kazmën Teatrit Kombëtar, pa shteruar rrugën e plotë kushtetuese dhe ligjore të kësaj çështjeje, që ka marrë një dimension të qartë europian dhe ndërkombëtar”.

Sipas Metës këto provokime mjaft serioze për paqen sociale në vend, janë të barazvlefshme si t’i vësh kazmën një herë e përgjithmonë përpjekjeve për të ecur së bashku me Maqedoninë e Veriut drejt çeljes së negociatave me Bashkimin Europian.

“Shpresoj shumë të ketë një reflektim dhe aktet e publikuara në media të mos jenë të vërteta. 15 kushtet e vendosura nga BE janë tepër! Shtimi edhe vetëm i një kushti tjetër do të ishte fatal e me pasoja vështirë të rikuperueshme për të ardhmen europiane të vendit!” /tvklan.al