Presidenti Ilir Meta përmes një postimi në rrjetet sociale mbështet protestën e banorëve të Zall Gjocajt. Sipas tij, ata janë në mbrojtje të pasurive të çmuara natyrore të Parkut Kombëtar Lurë – Mali i Dejës dhe të burimeve ujore jetësore për këtë komunitet.

Të ndalet menjëherë kjo masakër ekologjike”, shkruan kreu i shtetit.

Ai i bën thirrje prokurorisë të hetojë me abuzimet në dhënien e lejeve të shfrytëzimit të këtyre pasurive kombëtare.

“I bëj thirrje Prokurorisë të hetojë abuzimet flagrante në dhënien e lejeve të shfrytëzimit të këtyre pasurive kombëtare me vlera të jashtëzakonshme, në shkelje kriminale të ekuilibrave ekologjike dhe interesave të komunitetit”, shkruan Meta.

Ai thotë se përgjegjësit për këtë duhet të dalin pa vonesë para ligjit dhe se zgjedhjet e 25 Prillit janë referendum edhe për ndalimin e krimit mjedisor.

4 persona janë vënë në pranga në lidhje me protestën e zhvilluar ditën e djeshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, ku u bllokua lëvizja e mjeteve në aksin Milot-Tiranë.

Mes të arrestuarve është edhe organizatori i tubimit Besnik Paci, ndërkohë që 30 persona të tjerë janë proceduar penalisht. /tvklan.al