Gjykata Kushtetuese rrëzon vendimin e Kuvendit

Presidenti i Republikës Ilir Meta do të qëndrojë në këtë detyrë deri në fund të mandatit. Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin e saj duke rrëzuar votimin në Kuvend që e shkarkoi kreun e shtetit.

Gjykata Kushtetuese, pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e Komisionit Hetimor, garantimin e së drejtës së Presidentit për t`u dëgjuar dhe për t`u mbrojtur dhe duke mbajtur në konsideratë pavarësinë organizative të Kuvendit, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure.

Lidhur me shkaqet për të cilat Kuvendi vendosi shkarkimin e Presidentit, Gjykata Kushtetuese përcaktoi fillimisht se çfarë nënkuptohet me “shkelje e rëndë e Kushtetutës”. Gjykata vlerësoi se faktet e paraqitura nga Kuvendi nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.

Gjykata ka arritur në përfundimin se faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor, faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë, faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me pavarësinë e organeve publike dhe ato të paraqitura si shkelje të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Për këto arsye gjykata e rrëzoi vendimin e Kuvendit dhe sqaroi se vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet sipas afateve të përcaktuara.

Tv Klan