Meta: Më 8 Qershor planifikohej djegia e Kuvendit

Meta: Më 8 Qershor planifikohej djegia e Kuvendit

10:50 09/09/2019

Në fjalën e tij para komisionit hetimor parlamentar, Presidenti Ilir Meta, tha se një ditë para se të shpallte anulimin e datës së zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, kishte marrë informacion se persona të caktuar do të shfrytëzonin mitingun e paralajmëruar nga opozita, mes të tjerave, edhe për djegien e Kuvendit të Shqipërisë.

“Presidenti i Republikës, për shkak të detyrës së tij ka pasur informacione të mjaftueshme, për përpjekje për të organizuar akte destabilizimi në vend. Në mënyrë të veçantë, në datën 7 Qershor, një ditë para se Presidenti të bënte publik shfuqizimin e datës 30 Qershor, ka marrë një informacion, sekret dhe të klasifikuar, në rast se komisioni dëshiron të njihet me të mund të ndodhë pasi të marrim edhe konfirmimin nga institucioni. Ky informacion bënte të qartë se persona të caktuar do të shfrytëzonin mitingun e paralajmëruar nga opozita, mes të tjerave, edhe për djegien e Kuvendit të Shqipërisë.”

Meta tha se ky informacion ishte i besueshëm duke pasur parasysh edhe zhvillimet e kaluara.

“Presidenti nuk mund të pranonte, lejonte apo të mos shmangte një Rajshtag të ri në Shqipëri, e cila mund të prodhonte jo vetëm plagosje të policisë dhe qytetarëve, por edhe një shkatërrim të imazhit të Shqipërisë. Sëbashku me ekipin tim, pas këtyre informacioneve, gjykuam se ishte momenti i duhur për të parandaluar një ngjarje që mund të sillte pasoja të mëdha.”

Meta për dialogun: Hasa në kokëfortësinë e Ramës dhe të Bashës

Meta tha se kishte bërë përpjekje për zgjidhjen e krizës edhe para se të shpallte anulimin e datës së zgjedhjeve lokale të caktuara më 30 Qershor, por kishte hasur në dy pengesa: “Kokëfortësia e Kryeministrit për të mos diskutuar shtyrjen e datës 30 Qershor dhe kokëfortësia e Kryetarit të Opozitës për të mos u ulur në një tryezë me Kryeministrin.”

Ai tha se, edhe sipas raporteve ndërkombëtare, me afrimin e datës 30 Qershor, konfrontimi në vend po vinte duke u rritur, por pas dekretit për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve, “nuk kemi pasur akte dhune apo vandalizmi, si para datës 8 Qershor”.

Kreu i shtetit tha se kjo nuk ishte hera e parë që një President të shtynte zgjedhjet dhe se “kishte ndodhur edhe 5 herë të tjera më parë”.

“Nuk jam dakord me opozitën dhe liderët e saj, me deklaratat e tyre të papërgjegjshme se nuk mbajnë përgjegjësi për popullin, të cilin e nxirrnin në protestë dhe as me Kryeministrin, i cili organizonte anti-mitingje. Çfarë mund të bënte presidenti në kushtet kur të dy palët donin konfrontim? Presidenti nuk mund të priste të humbte jetën një punonjës policie, apo ndonjë qytetar”.

Meta tha se sipas Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, “vota e çdo zgjedhësi duhet të krijojë mundësinë e këtij të fundit të ndikojë në formimin e organeve ligjvënëse” dhe se të thuash që zgjedh me një kandidat do të thotë se bën një proces fiktiv”.

“Besoj se është shumë e qartë se me dekretin për shfuqizimin e 30 Qershorit, ka mbrojtur të drejtën e zgjedhjes së qytetarëve shqiptarë dhe ka shmangur një proces jodemokratik me vetëm një kandidat.”

Meta po ashtu tha se Shqipëria ka detyrime se ka marrëveshjen e stabilizim asociimit, nëse dëshiron të ecë përpara në rrugën e integrimit evropian.

10:05Komisioni hetimor nis seancën dëgjimore me Presidentin

Ashtu edhe siç kishte paralajmëruar një ditë më parë, Presidenti Ilir Meta ka mbërritur këtë të hënë në Kryesinë e Kuvendit, ku po merr pjesë në një seancë dëgjimore para komisionit hetimor parlamentar, i cili do të hetojë legjitimitetin e dekretit për anulimin e datës 30 Qershor si data e zgjedhjeve lokale. 

Meta shkoi në këmbë nga Presidenca deri në Kryesinë e Kuvendit, i shoqëruar nga këshilltarët e tij.

Burime nga institucioni i presidencës thanë për Tv Klan një ditë më parë se do të jetë një seancë ku kreu i shtetit do të paraqesë një serë dokumentesh që provojnë sipas tij kush janë shkelësit e vërtetë të Kushtetutës, por pa specifikuar me tepër se për çfarë provash behet fjalë.

Komisioni hetimor pasi të dëgjojë Presidentin do të takohet dhe me një delegacion të komisionit të Venecias që mbërrin në Tiranë pasditen e të hënës, por që takimet i ka planifikuar t’i zhvillojë të martën dhe të mërkurën e 10 dhe 11 Shtatorit. /tvklan.al


Delta
LAJMET

Të ngjashme

KPT
KPT
UKT
UKT
Doktori