Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në takim delegacionin e Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, kryesuar nga Carl Bildt, ish-Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Suedisë.

Meta theksoi rëndësinë që ka zgjerimi i BE-së edhe me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në këtë kontekst vuri në dukje se shpreson që Shqipëria të çelë sa më parë negociatat e anëtarësimit në BE dhe që Kosova të përftojë liberalizimin e vizave, sapo të mbyllet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.

Presidenti Meta gjithashtu i konsideroi të papranueshme dhe të pamundura idetë destruktive për ndarje apo shkëmbime territoresh, duke i konsideruar ato tentativa të dëshpëruara për mbivendosjen e agjendave populiste mbi agjendat jetike të integrimit dhe stabilitetit.

Programi i vetëm i punës në tryezat e drejtuesve politikë, tha Meta, duhet të jenë zgjidhja e problemeve e shqetësimeve reale të qytetarëve, për të vendosur sundimin e ligjit dhe demokracisë në secilin vend.

/tvklan.al