Presidenti video-konferencë me përfaqësuesit e organizatës: Teatri, dëshmori i parë i bulevardit

Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi sot një bashkëbisedim, nëpërmjet një video-konference, me përfaqësuesit e “Europa Nostra”, Zëvendëspresidentin ekzekutiv, Guy Clausse, Sekretaren e Përgjithshme, Sneska Quaedvlieg-Michailovic dhe anëtarin e bordit, Profesor Paolo Vitti.

Mësohet se Presidenti Meta i ka falenderuar ata për angazhimin dhe vëmendjen që “Europa Nostra” ka treguar ndaj promovimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit tonë. 

Meta është ndalur edhe në çështjen e Teatrit dhe ka falenderuar organizatën për mbështetjen që i ka dhënë “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”.

Nga zyra e shtypit e Presidencës bëhet e ditur se Meta ka theksuar gjatë video-konferencës se shembja e paligjshme e teatrit është edhe një çështje europiane përveç asaj kushtetuese, e trashëgimisë historike dhe identitetit kombëtar.

Prandaj mes palëve është rënë dakord për domosdoshmërinë e nisjes së një hetimi ndërkombëtar mbi këtë çështje dhe informimin e mëtejshëm të niveleve më të larta europiane.

“Europa nuk është vetëm euro, por edhe kulturë, solidaritet, humanizëm dhe identitet. Teatri Kombëtar ishte dëshmori i parë i Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, por demokracia dhe kultura europiane do fitojë”, mësohet të jetë shprehur ndër të tjera anëtari i bordit të “Europa Nostra”, Profesor Paolo Vitti.

“Nga sot më konsideroni edhe mua anëtarin më të ri të ‘Europa Nostra'”, ia ka kthyer Presidenti Meta./tvklan.al