Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot një video-konferencë me kryetarin e Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, Micheal Granoff.

Në një postim në mediat sociale, Meta shkruan se i ka shprehur mirënjohjen për zbatimin në Shqipëri të programeve zhvillimore në ndihmë të shkollimit, lidershipit, bizneseve, kulturës dhe turizmit.

“Ishte kënaqësi të zhvilloja një video-konferencë me Kryetarin e Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, z.Michael Granoff, dhe t’i shprehja mirënjohjen time për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për zbatimin në Shqipëri të programeve zhvillimore në ndihmë të shkollimit, lidershipit, bizneseve, kulturës dhe turizmit, si dhe ta përgëzoja për projektet e reja ambicioze në këto fusha shumë të rëndësishme”, shkruan Meta.

Presidenti shton se i ka kërkuar Granoff që fondacioni  të orientohet edhe drejt rritjes së investimeve amerikane në Shqipëri.

“E vlerësova impenjimin e tij dhe të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, në përshtatjen e programeve të reja për shkollimin e fëmijëve dhe të rinjve në situatën e Pandemisë dhe kërkova që Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve të orientohet edhe drejt rritjes së investimeve amerikane në Shqipëri, si një tregues dhe përfaqësues i rëndësishëm i marrëdhënieve të veçanta mes Shqipërisë e SHBA-ve dhe popullit shqiptar e popullit amerikan. 🇦🇱🤝🇺🇸”, përfundon kreu i shtetit, Ilir Meta./tvklan.al