Shkresa që i ka mbërritur në zyrë nga Kryeministri për ta dekretuar si ministër të Jashtëm, Ilir Meta thotë se nuk do të jetë një akt formal.

“Do të kërkojë kohë të mjaftueshme. Më duhet pak kohë, po në çdo rast më pak se 7 ditë”.

I pyetur nese kriter për zotin Rama do të jetë edhe ai që u ndoq në rastin e Genti Cakajt, lidhur me qëndrimin e tij për kufijtë Kosovë-Serbi, Presidenti nuk sheh vend për të hequr paralele.

Meta thotë se mosdekretimi i Cakajt nuk lidhet me paragjykimet ndaj tij, por me mungesën e besimit ndaj një zyrtari që ka neglizhuar zbatimin e ligjit për certifikatën e sigurisë.

“Kur shoh që ky zv/ministër për 6 muaj refuzon të plotësojë një detyrim ligjor nuk më duket normale. Nuk po flasim për Hasan Prishtinën apo Veton Surroin”.

Presidenti e gjen të pakuptimtë qëndrimin e kreut të qeverisë se vendimet e tij do t’i çohen për interpretim Gjykatës Kushtetuiese

“Gjykata Kushtetuese nuk shprehet dot per kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës. Të çosh në Gjykatë Kushtetuese kompetencën e Presidentit për të dekretuar është sikur të çosh për interpretim kompetencën e Kryeministrit për të propozuar”.

Nuk sheh tension mes tij dhe Kryeministrit, por konflikt të kreut të qeverisë me institucionet e vendit

“Arroganca e Kryeministrit është shkaku i gjithë kësaj marrëdhënie konfliktuale për të kuptuar se ç’ndodh mes Kryeministrit dhe institucioneve. Asnjë problem personal, problem është që zoti Rama nuk i respekton dot institucionet. Çdo gjë që i pelqen i duket kushtetuese, ajo që nuk i pelqen i duket jokushtetuese”.

Tv Klan