Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi ushtrueses në detyrë të Presidencës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e pavarësisë. Meta i ka përcjellë urimet më të ngrohta vëllazërore Osmanit dhe përfitoi nga rasti të përshëndeste përpjekjet e jashtëzakonshme dhe arritjet e deritanishme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve të Kosovës.

“Përfitoj nga rasti, që në këtë ditë të rëndësishme jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, të përshëndes përpjekjet e jashtëzakonshme dhe arritjet e deritanishme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve, duke sjellë më shumë stabilitet e begati për Kosovën, si dhe shndërruar atë në faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, për paqen në rajonin tonë”, thuhet në mesazhin e urimit.

Meta thotë se Shqipëria ka për të qenë gjithmonë pranë Kosovës.

“Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha sfidat e ardhshme, e bindur se maturia politike dhe përgjegjshmëria shtetërore e demonstruar gjatë këtyre 13 viteve Pavarësi, do të vijojnë të shoqërojnë përpjekjet e mëtejshme për konsolidimin e shtetit dhe kurorëzimin në një kohë të afërt të liberalizimit të regjimit të vizave, si dhe për avancimin e procesit të integrimit euro-atlantik të Kosovës”.

Meta përmend edhe zgjedhjet e 14 Shkurtit ku thotë se Kosova tregoi maturi dhe pjekuri politike. “Dhanë një shembull demokracie se si duhet të mbahen zgjedhjet dhe të respektohet rezultati i tyre”, thotë Meta.

Kreu i shtetit uron që krijimi i institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet të jetë sa më i shpejtë, në interes të qytetarëve të Kosovës dhe përparimit të proceseve integruese të vendit.

“Bashkëpunimi vëllazëror dhe Partneriteti Strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës, meriton të fuqizohet dhe konkretizohet në të gjitha fushat, në veçanti për t’ju dhënë një mundësi e perspektivë sa më të madhe të rinjve për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurtë europiane, në vendet tona dhe për të ndalur shpopullimin. Shqipëria është e vendosur për të mbrojtur Pavarësinë, integritetin territorial dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën. Me urimet më të mira për këtë ditë të shënuar për Republikën e Kosovës, ju lutem pranoni, e nderuar Zonja Presidente në Detyrë, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”./tvklan.al