Meta: Në 8 Qershor do digjej Kuvendi

Meta: Në 8 Qershor do digjej Kuvendi

15:51 09/09/2019

 “Nuk për të bërë spektakle politike…”

Dhe ashtu siç premtoi, Ilir Meta, përpara komisionit hetimor që kërkon shkarkimin e tij u shfaq institucional në të gjitha përgjigjet e tij. Edhe pse që në krye të fjalës e tha qartë se hetimi është fiktiv sa kohë që maxhoraca e ka thënë fjalën e saj me rezolutën e miratuar në parlament.

“Kuvendi e ka bërë gjykimin, para se të nisë hetimi për këtë çështje përmes rezolutës së tij.”

Argumenti kyç që Meta solli për të treguar se dekreti i shfuqizimit të zgjedhjeve është i bazuar në Kushtetute, ishte një precedent i Gjykatës së Strasburgut i 2015.

Veç argumenteve ligjorë, tha se kishte ndikuar vendimmarrjen e tij për shfuqizimin e 30 Qershorit si data e zgjedhjeve lokale, ishte edhe një informacion sekret, që kishte marrë në rrugë zyrtare se protesta e opozitës e 8 Qershorit, do të shfrytëzohej nga elementë të caktuar, për të djegur selinë e Parlamentit të Shqipërisë.

“Në datën 7 qershor kam marrë një informacion, i cili natyrisht që është sekret dhe i klasifikuar. Bënte të qartë se persona të caktuar do të përpiqeshin të shfrytëzonin mitingun e lajmëruar nga opozita për në datën 8 Qershor, edhe për djegien e Kuvendit të Shqipërisë.”

Stabiliteti i vendit, Meta përsëriti disa herë se e kishte udhëhequr në vendimin e 8 Qershorit.

“Por kam një pyetje; Kur dy veta, në thonjëza çmenden dhe duan t’i çojnë njerëzit drejt përplasjes, çfarë duhet të bëjë Presidenti i Republikës? Sigurisht që presidenti atë mundësi kishte, nuk ka mundësi tjetër, vetëm përmes dekretit flet për të çtensionuar situatën, për t’u dhënë mundësi palëve të reflektojnë në interes të paqes sociale, në interes të Bashkimit Evropian, të qytetarëve dhe në interes të përgjithshëm të mbarë vendit. Besoj se unë kam bërë detyrën time më të mirë dhe jam shumë krenar për të gjitha veprimet që kam bërë, të cilat i kam bërë në transparencë dhe në paanësi të plotë.”

Por në cilin nen të Kushtetutës e ka mbështetur Presidenti nxjerrjen e dekretit?

“Atëherë, në cilin nen të Kushtetutës Kuvendit i jepet e drejta për të shfuqizuar ligje? Në cilin nen të Kushtetutës i jepet e drejta qeverisë për të shfuqizuar vendimet e saj?”

Meta dha si argument precedentet e paraardhëseve që kanë shtyrë datën e zgjedhjeve.

Ironizoi kur u pyet se çfarë do të bëjë me dekretin që ka shpallur, 13 Tetorit si datën e zgjedhjeve lokale?

Unë po pres që ju si deputetë të përgjegjshëm të ndikoni tek komisioni i ligjeve, të ftoni ministren e Drejtësisë që të lejojë botimin e dekretit në fletoren zyrtare…”

Kreu i shtetit përsërit se 13 Tetori mund të shfrytëzohet si datë edhe për zgjedhje parlamentare dhe presidenciale. Siç ritheksoi se ka shteruar çdo rast për të mundësuar rrugën e dialogut mes palëve për arritjen e dialogut.

“Ishte një situatë e çmendur të kuptimin politik, të dy palët nuk mbanin asnjë lloj përgjegjësie”.

Në përfundim, si për të treguar se asgjë nuk është personale në këtë proces si nga ana e shumicës që ka marre një nismë për shkarkimin e tij ashtu dhe nga ana e vetë Presidentit, Meta pranoi ftesën e Gramoz Ruçit për të pirë në zyrën e tij një kafe e cila zgjati për rreth 20 minuta.

Kjo ishte hera e parë që një President Republike thirret për para një komisioni hetimor që kërkon shkarkimin e kreut të shtetit.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT