Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar pas aktakuzës me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personavea, përndjekje dhe tortura.

Meta thotë se beson në pafajësinë e tyre dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre.

“Lufta e UÇK-së, që iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të Millosheviçit, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj europiane dhe të rajonit tonë. Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre. Edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar. Ne besojmë se kjo do të ndodhë përsëri”.

Po ashtu në një mesazh në Facebook, edhe kryeministri Edi Rama shprehet se është në krah të të gjithë atyre që kanë që luftuan me armë për ta çprangosur Kosovën e burgosur në ferrin e Sllobodan Milosheviçit.

“Qëkur e kam marrë lajmin e listës së tribunalit special dhe kam lexuar emrat e kriminelëve të supozuar të luftës çlirimtare të Kosovës, përpiqem po nuk arrij të formuloj fjalitë e duhura për të shprehur indinjatën time! Do të shprehem publikisht nesër me një mesazh për të gjithë shqiptarët, por jam e do të jem deri në fund, në krah të të gjithë atyre që luftuan me armë për ta çprangosur Kosovën e burgosur në ferrin e Sllobodan Milosheviçit, duke mbyllur me gjak, nder e lavdi një histori padrejtësie historike në zemër të Europës! Rroftë Kosova dhe sot më shumë se kurrë nderim udhëheqësve të luftës çlirimtare”, shkruan Rama.

Sakaq, edhe kreu i PD Lulzim Basha shpreh bindjen se Thaçi e Veseli do t’i dëshmojnë botës drejtësinë e kauzës së lirisë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për liri përballë një agresori që nuk kurseu asgjë, nga genocidi tek sprastrim etnik kundër popullit te Kosovës. Kohë pas kohe shqiptarëve ju desh jo vetëm të luftojnë për ta fituar lirinë por edhe ta mbrojnë atë. Kam bindjen se Hashim Thaçi, Kadri Veseli e të gjithë bashkëluftëtarët e tyre do ti dëshmojnë sërish botës drejtësinë e kauzës së lirisë. Asgjë nuk e përdhos dot luftën çlirimtare dhe sakrificën sublime të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe dinjitet njerëzor”.

Edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në një postim në Facebook.

Akuzat ndaj individeve të veçantë nuk mund zbehin luftën çlirimtare të Kosovës si faqen më të ndritur të qendresës shqiptare për liri e dinjitet kombëtar, që nga luftrat e Skënderbeut. Uroj që të akuzuarit të provojnë para botës pafajesinë e tyre. Vlerësoj vendimin e z.Thaçi për të mos përfaqësuar Kosovën në takimin e Washingtonit” . /tvklan.al