Presidenti Ilir Meta në një intervistë ndryshe në emisionin “Opinion” në Tv Klan përballë gazetarit Blendi Fevziu ka treguar detaje nga lëvizja e Dhjetorit të vitit 1990. Në një rrëfim ndryshe, Meta ka treguar se e gjithë rinia donte që vendi të ndryshonte, pasi kriza ekonomike ishte rënduar shumë.

Blendi Fevziu: Zoti Meta kanë kaluar 30 vjet nga Lëvizja Studentore për ndryshimin e sistemit në Shqipëri. Ju jeni një nga 10-15 personat ende aktivë, që kanë marrë pjesë nga dhjetori e këndej dhe njëkohësisht një nga 3-4 personat kryesore gjatë këtyre 30 viteve në Shqipëri. Cilat kanë qenë momentet më të rëndësishme të kësaj pjese postkomuniste, edhe pse po ju pyes për pjesën e formimit tuaj pak më herët?

Presidenti Ilir Meta: Momentet më të rëndësishme janë pikërisht Lëvizja Studentore dhe hyrja në një epokë të re të pluralizimit politik e demokracisë.

Blendi Fevziu: Ju keni thënë një gjë shumë interesante në fjalën që u drejtuat të rinjve me rastin e 8 dhjetorit: Thatë që po të prisja unë që ndryshimin ta bënte babai, s’do të kishte ndodhur kurrë.

Presidenti Ilir Meta: Jo vetëm unë, por shumica e atyre që kanë qenë atë Lëvizje, besoj se ndajnë të njëjtin vlerësim edhe sot pas 30 vitesh.

Blendi Fevziu: E donit vërtet ndryshimin në ato ditë?

Presidenti Ilir Meta: Padyshim! E gjithë rinia në atë kohë kërkonte një ndryshim, sepse e kishte kuptuar që vendi po lëngonte shumë…

Blendi Fevziu: Jo, doja t’ju pyesja në fakt ndryshimin e kërkonin të gjithë, por dukej se për ju ishte pak më e vështirë. Babai juaj, ju kishit një lidhje me komunizmin, familja juaj kishte qenë e lidhur me luftën, babai juaj ishte oficer, pra nuk dukej se kishit ndonjë pakënaqësi që lidhej drejtpërdrejt me sistemin.

Presidenti Ilir Meta: Shumica e shoqërisë kërkonte një ndryshim, sepse situata kishte ardhur aty ku nuk mbante më. I kemi parasysh të gjithë tallonat…

Blendi Fevziu: Ushqimi i racionuar…

Presidenti Ilir Meta: …ushqimi i racionuar, 80% në fabrika dhe uzina, ishin në pamundësi për të punuar dhe për të marrë një pagë të atyre standardeve që meritonin të merrnin. Probleme pafund, që detyruan futjen e shqiptarëve në ambasada…

Blendi Fevziu: Përplaseshit me babain për këto gjëra? Çfarë kërkonit ju dhe çfarë ju thonte ai?

Presidenti Ilir Meta: Po, patjetër, sepse sikurse edhe ju e thatë familja ime ishte një familje e lidhur shumë me Luftën Antifashiste dhe në këtë kuptim, më pas, edhe me sistemin. Jo në kuptimin e privilegjeve, por në kuptimin e të mos qenit të persektuar.

Blendi Fevziu: Me përjashtim të një pakice të vogël, pjesa tjetër nuk është se kishin ndonjë privilegj të madh.

Presidenti Ilir Meta: Nuk ishim një familje, që vuante nga persekutimi siç ishin shumë familje në Shqipëri apo nga mungesa e shanseve për të garantuar një standard të pranueshëm për atë kohë, si e drejta për në shkollë të lartë apo për punë. Këto ishin standardet e asaj kohe dhe ne i kishim këto mundësi./tvklan.al