Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Kryeministri Ilir Meta vizitoi sot në mbrëmje në Prokurorinë e Përgjithshme. Përballë Metës i cili shoqërohej nga ministra dhe zyrtare të lartë të financave, drejtësisë, rendit publik, doganave, SHIK-ut dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, ishin ulur Prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi me vartësit e tij, mes të cilëve dhe Kryehetuesi Agim Tirana i sulmuar ashpër para pak ditësh nga vetë Meta.

Në fillim ka folur kryeprokurori Arben Rakipi i cili bëri një përmbledhje të punës së organit të akuzës. Në Prokurori tha Rakipi janë ngritur komisione të veçanta të specializuara në luftën kundër krimit, korrupsioni e kontrabandës. Por megjithatë tha Rakipi në shumicën e rasteve barra më e rëndë i mbetet organit të akuzës.

Kryeministri Meta tha se kjo vizitë e tij këtu ishte e parashikuar pas vizitave në institucionet e tjera, por incidenti i pak ditëëve më parë mbi çështjet e tenderave të Ministrisë së Mbrojtjes, ndikoi në afrimin e saj. Duhet bërë ndarja mes të korruptuarve dhe jo të korruptuarve tha kryeministri Meta. Unë jam i vendosur tha Meta, të respektoj ligjin dhe Kushtetutën.

Kryeministri Ilir Meta:- “Unë dëshiroj dhe një herë të konfirmoj se nuk kam ndërmend të marr në mbrojtje asnjë individ të pandërgjegjshëm kudo qoftë ai, i cili nuk është në gjendje të kuptoj përgjegjësitë e veta institucionale dhe publike. Njëkohësisht kërkoj që të bashkëpunoj e ju me Kontrollin e Lartë të Shtetit, që gjithçka ti nënshtrohet rrugës institucionale dhe vetëm kështu do të rritet besimi në të gjithë institucionet”.

Jam i vendosur vazhdoj Meta që si kryeministër i ri të sjellë një frymë të re të bashkëpunimit institucional, që nuk ka funksionuar mirë më parë. Shpresoj që forca e ligjit të godasë fortë krimin dhe korrupsionin, tha Meta.

Ky takim erdhi si rezultat i përplasjes para pak ditëve mes dy institucioneve, shkak i së cilës u bë publikimi i disa fakteve nga një Gjeneral i ushtrisë, i cili akuzonte direkt Ministrin Hajdaraga për korrupsion. Meta duke mbrojtur Hajdaragën hodhi kundërakuza kundër Gjeneralit por dhe vetë Prokurorisë.

Ndërsa vizita në prokurori e kryeministrit Meta ka vulosur një forcim të bashkëpunimit jo vetëm mes institucioneve por dhe me organet e tjera shtetërore, duke i shërbyer më mirë mbarvajtjes institucionale në vend./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj