“Prokuroria të sekuestrojë regjistrimet audio të KED”

Kallëzimin e paralajmëruar të premten ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Presidenti Ilir Meta e firmosi këtë të martë dhe e dërgoi në tre Prokurori.  

Pasi e firmosi kallëzimin ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, padia ndaj Ardian Dvoranit mbërriti në orën 16:00 në Prokurorinë e Përgjithshme. Njëherazi ky kallëzim është dorëzuar edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe atë të Tiranës.

Presidenti Meta e akuzon kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për dy vepra penale; atë të shpërdorimit të detyrës si dhe përvetësim titulli apo detyrës shtetërore në lidhje me procesin e emërimeve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Dosja përmban një argumentim të gjatë të atyre që Presidenti i Republikës i quan si shkelje penale, shoqëruar me prova që sipas tij faktojnë një sjellje kriminale me dashje nga kreu i KED-së.

Meta e akuzon Dvoranin se ka shkelur ligjin në dërgimin e njëkohshëm të listave të kandidatëve për plotësimin e dy vakancave në Gjykatën Kushetuese që i përkasin Presidentit të Republikës, pasi vendimi nuk ka qenë kolegjial, por individual.

“Nuk rezultoi që KED-ja, në mënyrë kolegjiale, të ketë marrë ndonjë vendim për mënyrën dhe kohën e dërgimit të listave pranë organeve të emërtesës, por ky veprim administrativ është kryer vetëm në mënyrë individuale nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.

Këtë akt, thotë Presidenti, kreu i KED ka bërë qëllimisht që ta detyrojë kreun e shtetit të shkelë Kushtetutën që përcakton se Presidenca dhe Kuvendi duhet të shprehen me radhë për vakancat në Kushtetuese dhe që Presidenti të vendosej në pamundësi për të ushtruar kompetencën e tij për të emëruar gjyqtarin e dytë që i takonte sipas radhës që përcakton Kushtetuta dhe ligji.

“Presidenti i Republikës, pas emërimit të gjyqtarit të parë nuk mund të emëronte njëherazi edhe gjyqtarin tjetër të Gjykatës Kushtetuese që i takonte atij, së paku, pa u shprehur më parë Kuvendi i Shqipërisë për zgjedhjen e gjyqtarit të tij në vakancën e parë të Kuvendit për plotësim.

E vlerësuar me veprimet e mëtejshme të kryera nga Kryetari i KED-së, arrihet në bindjen se kjo ishte një manovër e qëllimshme për t’i imponuar Presidentit të Republikës një veprim në kundërshtim të hapur me ligjin dhe antikushtetues”.

Për përvetësimin e kompetencave, Presidenti sqaron se akuza ka të bëjë me konstatimin e emërimit të Arta Vorpsit si gjyqtare kushtetuese nga kreu i KED, pasi Presidenca nuk u shpreh brenda afatit 30 ditor nga dërgimi i listës.

“E drejta për të emëruar apo konstatuar emërimin automatikisht të tre prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i takon eksluzivisht Presidentit të Republikës. Përpjekja e Kryetarit të KED-së që nëpërmjet një manovre të paligjshme dhe të qëllimshme të konstatojë emërimin e znj. Arta Vorpsi anëtare të Gjykatës Kushtetuese duke dërguar listën për botim në Fletoren Zyrtare, përbën përvetësim të kompetencave të Presidentit të Republikës nëpërmjet ushtrimit të tyre në mënyrë të padrejtë”.

 Presidenti thotë se Prokuroria duhet të sekuestrojë materialet audio dhe procesverbalet e mbledhjeve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i bindur se aty do të gjeje edhe shkelje të tjera të Ardian Dvoranit.

“Presidenti i Republikës, i rekomandon organit të akuzës, të sekuestrojë mënjëherë kopje të regjistrimeve nga sistemi i regjistrimit audio për të gjitha mbledhjet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, prej të cilave do të zbulohen edhe fakte e të dhëna shtesë përtej atyre të parashtruara në këtë kallzim.  Me prioritet në punën tuaj është sekuestrimi i procesverbaleve audio të datave 21 shtator 2019 dhe 9 nëntor 2018 për evituar dëmtimin apo manipulimin e tyre të qëllimshëm”.

Presidenti i Republikës i kërkon organit të akuzës qe të përfshijë në listat e personave që mund të japin të dhëna të vlefshme për hetimin edhe kandidatët për katër vakancat në Kushtetuese, anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Këshilltarët dhe Sekretarinë pranë Gjykatës së Lartë që kanë shërbyer si ndihmësa dhe sekretar për çdo relator dhe KED-në, si dhe të gjithë të pranishmit në mbledhje.

Tv Klan