“Qëndroj deri në fund të mandatit, s’më frikëson askush”

Ilir Meta i është kthyer toneve kërcënuese në adresë të shumicës socialiste. Për të, zgjedhjet e 25 Prillit janë vendimtare për fatin e vendit dhe si garanci që ato të jenë të lira e të pamanipuluara sheh marrëveshjen e 5 Qershorit.

Përpjekjet për ta shkelur i cilëson grusht shtetit dhe i kujton kujtdo që ka plan të hedhë këtë hap fatin e pengmarrësit në raste grabitjesh.

“Unë kam qenë kryeministër dhe janë përballur me situata të vështira. Ju e dini që kur merret peng një autobus përpiqesh që të lidhesh me të, të negociosh me të. Por ju e dini që kur rrezikohen që të gjithë qytetarët merren vendimet të forta, dhe askush nuk do i ketë fajin askujt nëse do ketë zgjedhur që për fatin e tij të sakrifikohet një popull i tërë. Nuk do sakrifikohet e ardhmja e europiane e Shqipërisë, as për kokën e Ilir Metës, as për të Edi Ramës, Lulzim Bashës apo ndonjë tjetri”.

Vetë siguron se deri në 25 Prill do të qëndrojë syhapur për të mos lejuar asnjë tentativë për kapjen e zgjedhjeve por në çdo rast shpresat më të mëdha thotë se i ka te gratë dhe vajzat e këtij vendi.

 Asnjë i sëmurë mendor apo i marrosur pas pushtetit të pamerituar dhe të vjedhur nuk do t’i shkojë mendja që presidenti i këtij vendit mund të frikësohet që të përmbushë misionin e tij historik, që të jetë presidenti i 25 Prillit. Mirë apo keq ju e keni presidentin, por edhe sikur mos ta kishit, jam i sigurt që gratë të Shqipërisë do ua kalonin grave të Bjellorusisë. Unë shpresoj që të gjithë ta kuptojnë që këto zgjedhje janë të domosdoshme”.

Nismën e shumicës për miratimin e një ligji për kreun e shtetit, Ilir Meta e sheh si presion ndaj tij dhe ju kujton se në çdo rast shpërndarja e Parlamentit është një opsion që pas 2 Marsit qytetarët vazhdojnë t’ia kërkojnë me ngulm.

Asnjë i sëmurë mendor dhe i marrosur pas pushtetit të pamerituar dhe të vjedhur, nuk duhet t’i shkojë mendja se Presidenti i këtij vendi mund të indimidohet. Nëse këtij parlamenti nuk i mjaftojnë të gjitha rekordet negative që ka në këto 30 vite, padyshim që do mbetet parlamenti i 1 prillit. Pika e parë është respektimi i marrëveshjes së 5 qershorit dhe përshendes opozitën që ka kërkuar lista 100%, kjo është në të mirë të popullit shqiptar. Ne nuk flemë gjumë dhe po shikojmë çdo gjë deri në 25 prill, dhe të gjithë ata që duan të fabrikojnë shumicë ta provojnë, Presidenti nuk i thotë askujt që të mos bëj eksperimente, por i paralajmëron se me fatin e tyre të mos cënojnë fatin e kombit shqiptar. Po ua rikujtoj se vrima e vrimës së miut do u duket shumë e madhe”.

Meta përsërit se Kushtetuta do të jetë e mbrojtur nga institucioni i Presidentit deri në fund të mandatit 5-vjeçar.

“Unë prej kohësh kam qenë i gatshëm që për hir të marrëveshjeve të cilat zgjidhin legjitimitetin e institucioneve të vendit, të lija dhe postin e Presidentit vetëm të gjendet një zgjidhje afatgjatë për vendin. Dua t’ju siguroj pa hyrë në komente, në të gjitha rastet unë premtimin që kam bërë që ky institucion deri në 24 Korrik të vitit 2022 do të jetë kështjellë e pamposhtur në mbrojtje të Kushtetutës, të lirisë, demokracisë dhe të ardhmes europiane të vendit, këtë do ta mbaj në të gjitha mënyrat”.

Në daljen e tij të parë për këtë sezon të ri politik, Meta pranoi se nuk ka marrë ende asnjë përgjigje nga kreu i ekzekutivit lidhur me kërkesën e bërë 3 javë më parë për ecurinë e negociatave për marrëveshjen detare me Greqinë.

Tv Klan