“Nëse Rama merr 71 mandate në mënyrë demokratike, i jap dhe mandatin e Presidentit”

Presidenti Ilir Meta ka dalë në një konferencë shtypi lidhur me situatën elektorale të zgjedhjeve të 25 Prillit, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama se po kërkon që të prishën ditën e zgjedhjeve.

Gjatë fjalës së tij, Meta tha se nëse Partia Socialiste do të marrë 71 mandate në mënyrë demokratike, do t’i japë Kryeministrit Rama edhe mandatin e Presidentit.

“Nuk dua më jo një pikë gjaku të derdhet për zgjedhje, por nuk dua asnjë pikë loti. Secili të votojë sipas mendimit të tij dhe në qoftë se Edi Rama merr 71 mandate në mënyrë demokrate do t’ja jap edhe mandatin e Presidentit t’i marri të gjitha në qoftë se ky është vullneti i popullit shqiptar. Ama u prek një votë, Edi Rama të gjejë vrimë ku të futet”.

Duke folur për incidentin e Kavajës ku u plagos me armë sekretari i PD në këtë qytet, kreu i shtetit u shpreh se ngjarja ishte nxitur nga Kryeministri. Ndërkohë theksoi se pas 25 Prillit, asnjë person që ka kryer krime elektorale, do të përjashtohet nga punësimi në administratën publike.

“Shumë mirë pas ulërimave të mia dje që arrestove 3 rrugaçë në Kavajë. Ti më akuzove mua që nxis dhunën në Kavajë. Ndërkohë që i dërgove ti dhe shtabi yt kriminal në Kavajë këta 3 horra, 2 prej të cilëve punojnë në Bashkinë e Kavajës dhe tjetri i lidhur me narkotrafikantë, se ti vdes për narkotrafikantë. Unë s’kam asnjë lidhje me këta. Këta i nxit Edi Rama. Dhe këta nuk kanë vajtur për motive të dobëta. Ti lërë policia këto lojëra. Asnjeri që do përfshihet në krim zgjedhor nuk do ketë më vend në administratën e Shqipërisë pas 25 Prillit. Do ketë ligj të posaçëm. Çdo njeri që shkel Kodin Zgjedhor nuk do ketë më vend në administratën e Shqipërisë”.

Meta komentoi edhe incidentin e paradites së sotme në Fier, ku anëtarë të LSI u konfliktuan me policinë bashkiake pasi kërkonte që të hiqeshin banderolat e kësaj force politike. Presidenti tha se kërkesa për të hequr banderolat e LSI është provokim nga kryesocialisti Edi Rama që sot do të jetë në Fier.

“I thuaj zotit Ruci që jo vetëm i hoqëm ato banderolat e LSI që të mos shqetësohet kryerilindasi, por na ka thënë Presidenti i Republikës që t’i japi dhe ca postera kryerilindasit që të kënaqet ai. Provokator i ndyrë që kërkon të prishë zgjedhjet ditën e dielë. Ky është problemi. E bëjnë që të dalin militantët tuaj aty e të bëhet sherr i madh dhe të krijohet ideja sikur LSI me porosi të Presidentit prish mitingun e PS”. /tvklan.al